Korenica transferohet në Turqi, detajet e transferimit dhe paratë që do të fitojë Ballkani
Meriton Korenica ka zhvilluar ndeshjen e fundit me Ballkanin ndaj Bate Borisov (1-0), duke i ndihmuar skuadrës kosovare të shkojë në grupe për herë të dytë radhazi.
Mesfushori nga Rahoveci ka qenë pjesë e Ballkanit në tre vitet e fundit ku padyshim ishte ndër lojtarët kryesorë të ekipit nga Suhareka.
Por, ai karrierën do ta vazhdojë në skuadrën turke Manisa Football Club ku drejtor sportiv është Nderim Nexhipi.
Gjatë ditës së sotme Korenica do të prezantohet te Manisa pasi tanimë ka marrëveshje mes dy skuadrave si dhe të futbollistit me klubin turk. 26-vjeçari gjatë tre viteve qëndrim te Ballkani ka zhvilluar 130 ndeshje teksa ka shënuar 25 gola dhe ka asistuar në 20 të tjerë duke qenë një lider për skuadrën e Ilir Dajës.
Meriton Korenica kishte kontratë me Ballkanin edhe për dy vite deri në qershor të vitit 2025. Por dëshira e lojtarit ishte të provonte një aventurë jashtë Kosovës dhe tanimë do të jetë pjesë e Ligës së Parë të Turqisë ku për synim ka ta fus Manisën për herë të parë në Superligë. Telegrafi mëson ekskluzivisht edhe marrëveshjen që është arritur mes Manisës dhe Ballkanit për transferimin e Korenicës në Turqi.
Transferimi i Korenicës do t’i kushtojë Manisës 200 mijë euro ku këto para do të derdhen në arkat e Ballkanit.
Ndërkohë Ballkani do të lutet që Korenica me Manisën të sigurojnë inkuadrimin në Superligën e Turqisë, pasi në rast se ndodh një gjë e tillë atëherë klubi nga Suhareka do të marrë edhe 50 mijë euro të tjera bonuse.
Kampioni në fuqi i Kosovës do të ruajë edhe 20 për qind të kartonit nga shitja e ardhshme e Korenicës, përqindje që mund t’i sjell të tjera të ardhura klubit nga Suhareka. Transferimi dhe ftesa nga Përfaqësuesja e Kosovës A, muaji gusht i paharruar për Korenicën
Pas shumë viteve shkëlqim në futbollin e Kosovës, Meriton Korenica u ftua nga Përfaqësuesja A, përkundër që kjo ftesë vlerësohet si e vonuar nga të gjithë.
Ylli rahovecian ka merituar edhe më parë të ftohet nga Dardanët falë paraqitjeve fantastike që ka pasur me Ballkanin. Megjithatë ftesa erdhi në momentin e duhur pasi ai pikërisht në muajin gusht edhe siguroi transferimin në Turqi.
Në një prononcim të shkurtër për Telegrafin një ditë më parë, Korenica u shpreh shumë i lumtur për ftesën e marrë dhe që do ta përfaqësojë Kosovën.
“Kjo ftesë është motiv shtesë për mua. Është një ëndërr e bërë realitet. Ka kohë që e kam pritur këtë ftesë. Kam punuar dhe duruar shumë. Unë jam gjithmonë i gatshëm për Kosovën”, ka thënë Korenica për Telegrafin.
Korenica ka bërë karrierë edhe te Shkëndija, Prishtina, Liria, ndërsa karrierën e ka nisur te Rahoveci.