Kori diplomatik në Australi mban pritje lamtumirëse për nder të ambasadorit Kiçmari
Me ftesë të dekanit të Korit Diplomatik në Australi, ambasadorit Abel Guterres, shefat e misioneve diplomatike në Australi kanë mbajtur një takim lamtumirës në Kanbera për nder të ambasadorit të Republikës së Kosovës dr. Sabri Kiçmari.
Dekani i Korit Diplomatik, Abel Guterres, ka falënderuar ambasadorin Kiçmari për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës me Australinë dhe vendet e Paqësorit si ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Australi dhe në rajon, për prezencën e ndjeshme në radhët e Korit Diplomatik dhe profesionalizmin e tij gjatë kohës së shërbimit të tij.
Në fjalën e tij ambasadori i Republikës së Kosovës dr. Sabri Kiçmari e ka falënderuar dekanin e Korit Diplomatik ambasadorin Guterres për nderimin duke i ftuar në takim lamtumirës shefat e misioneve diplomatike.
“Pas katër vitesh e shtatë muajsh po ndahem nga ju. Nëse më pyesni si ndjehem, mund t’ju përgjigjem se rrallë kam pasur ndjenja kaq të përziera, ndoshta ambivalente, kundërthënëse me njëra – tjetrën: në njërën anë jam i mërzitur dhe në anën tjetër i gëzuar. I mërzitur, sepse do të largohem nga ky vend kaq i bukur, nga ky qytet i qetë, me klimë shumë të mirë, pa dimër, pra unë nuk e dua dimrin dhe të ftohtët, dhe po ndahem nga ju miq të nderuar, ambasadorë dhe shefa misionesh, po ndahem nga miqtë e mi nga Ministria e Jashtme e Australisë, dhe nga ky rajon i mrekullueshëm i Paqësorit. I gëzuar sepse po kthehem në vendin tim, në Republikën tonë të re, aromën e së cilës nuk e përjetova gjatë, sepse pak kohë pasi u shpall Republika e Kosovës, unë u nisa në detyrë për ta përfaqësuar atë në Austri për pesë vite e një muaj dhe këtu në Australi për katër vite e shtatë muaj e gjysmë”, ka thënë Kiçmari.
Ambasadori Kiçmari ka falënderuar Qeverinë e Australisë për mbështetjen permanente të Kosovës: pranimin e 4000 refugjatëve nga Kosova gjatë luftës në vitin 1999, për rolin e ushtarëve australianë në krijimin e paqes në Kosovë, për njohjen e Republikës së Kosovës vetëm dy ditë pas shpalljes, për votën pro pranimit të Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, UNESCO dhe në një numër të madh organizatash ndërkombëtare.
Ai ka theksuar më tutje se kthehet në Kosovë me një përvojë të jashtëzakonshme. “I kam vizituar të tetë kryeqytetet e shteteve australiane, e kam vizituar shpesh Zelandën e Re, Ishujt Solomon, Fixhin, Vanuatun, Samoan, Ishujt Kok, madje edhe Indonezinë dhe Timorin Lindor. Gjatë qëndrimit tim këtu kam pasur nderin që në emër të Republikës së Kosovës të negocioj dhe nënshkruaj pesë marrëveshje ndërshtetërore me vendet e paqësorit, marrëveshje të tjera janë në proces negocimi, e kemi përmbyllur procesin e njohjes në këtë pjesë të globit dhe kam takuar një numër ministrash të jashtëm, kryeministrash e shefash shtetesh. Dua të shpreh falënderimin tim të sinqertë për të gjithë shefat e misioneve nga këto vende, të cilët më kanë mbështetur gjatë misionit tim këtu”, është shprehur ai.
Dekani i Korit Diplomatik i ka dorëzuar ambasadorit Kiçmari mirënjohjen e Korit Diplomatik në Australi me përkushtimin e mëposhtëm: “Kori Diplomatik në Australi dëshiron të nderoj për shërbimin e tij Shkëlqesinë e Tij Dr. Sabri Kiçmari, Ambasador i Republikës ë Kosovës 2013-2018. Kori Diplomatik e uron Shkëlqesinë e Tij për misionin e tij të suksesshëm dhe i dëshiron atij dhe familjes së tij fat në angazhimet e tij në të ardhmen”.
Gjatë pritjes ambasadori Kiçmari ka zhvilluar takime me të gjithë ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike që ishin prezentë.
Në pritje kanë marrë pjesë edhe një numër i madh i shefave të misioneve diplomatike nga vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
/Epoka e re/