
Korona testet dhuruar Kosovës, përmirësojnë imazhin e Serbisë
Serbia ia ka arritur qëllimit të synuar: ngritjen e imazhit në Evropë nëpërmjet donancionit prej 1000 testeve për Covid-19 për Kosovën.
Lajmi se Serbia ia ka dhuruar Kosovës 1000 teste për Covid-19, është komentuar edhe nga mediat e huaja.
Televizioni gjerman “NTV”, ka lavdëruar dhurimin e 1000 testeve për virusin korona, që Serbia i ka bërë Kosovës, raporton “Gazeta Evropa”.
Ndërkaq, i pyetur mbrëmë në intervistën e dhënë në TV Dukagjini se me çfarë dokumentacioni kanë hyrë këto teste nga Serbia në Kosovë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është përgjigjur se nuk e di.
Ndërkohë, partitë politike kanë reaguar ashpër, duke e kritikuar Kurtin.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se alternativa e fundit për ndihmë ndaj Kosovës, do të duhej të ishte Serbia.
“Unë mendoj që Kurti dhe qeveria është dashur të kërkojnë diku tjetër ndihma dhe jo ta shfrytëzoj ndihmën e fundit, se kur është në pyetje shëndeti, ndoshta si alternativë e fundit nuk është dashur të refuzohet, por nuk ish dashtë të varemi nga testet e Serbisë”, ka thënë Gjoshi.
Edhe Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me këtë çështje.
Ai ka thënë se donacioni i djeshëm me 1000 teste serbe në formë lëmoshe është nënçmim për Kosovën për paaftësi në raport me furnizimin e ligjshëm dhe të mundshëm në kohë përmes blerjeve të drejtpërdrejta apo donacioneve nga shtetet mike të Kosovës.
Përkitazi me këtë çështje, edhe më e ashpër ka qenë anëtarja e Këshillit Drejtues të LDK-së, Melihate Tërmkolli. “Përderisa ia mbylli derën Amerikës, ia ka hapë portat e mëdha Serbisë e Rusisë! Kjo është politika kombëtare strategjike e Albin Kurtit! Pyetja dhe shqetësimi më normal që shtrohet në këtë rast është se: A po vëhen në zbatim Planet Ruse-serbe në Kosovë, me Albinin Kryeministër në detyrë, nën maskën e “ndihmës” për COVID’19 ?! Mbase dikush duhet të dijë ç‘farë po ndodhë në vendin tonë sepse Kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti po deklaron se “nuk di” asgjë! Kjo nuk është lojë!”, ka shkruar Tërmkolli në llogarinë e saj në “Facebook”.