Koronavirusët më parë nuk kanë mbijetuar gjatë

13 maj 2020 | 09:41

Infektologu Valbon Krasniqi ka folur mbrëmë për pandeminë Covid-19 në Kosovë. Ai ka thënë se pandemia do të ketë ndikim në jetët tona. “Në muajin mars e kemi pranuar rastin e parë të dyshuar me Covid-19. Më datën 13 i kemi konfirmuar dy rastet e para. Dy muajve e kemi një situatë me rreth 900 të infektuar, me 190 të hospitalizuar dhe me 19 me ecuri fatale brenda QKUK-së. Kjo gjendje ka ndryshuar sjelljen tonë. Normalisht se do të ketë ndikim edhe në vazhdim në jetën tonë, por edhe në ekonomi e arsim”, ka deklaruar ai në Klan Kosova.

Ai ka shtuar se duhet të kemi kujdes që të mos e prekim mukozën e gojës, hundën dhe sytë në mënyrë që t’i ikim rrezikut të përhapjes së virusit. “Sigurisht se ne do të dalim nga kjo pandemi. Është e rëndësishme se si kemi hyrë në këtë pandemi dhe si do të dalim. Çka kemi ditë dhe çka dimë tani lidhur me përhapjen, mjekimin, vdekshmërinë.

Dhënia e duarve mes neve mjekëve shpjegohet në mënyrë shkencore. Edhe unë edhe doktori kemi hyrë në studio me duar të dezinfektuara. Nuk kemi ndonjë simptomë. Ne i dimë cilat janë rrugët e transmetimit. Ajo çka dimë lidhur me transmetimin e virusit, është se kjo nuk transmetohet me anë të lëkurës.

Ky nuk është mesazh që ne duhet t’i japim dorën njëri-tjetrit. Është një mesazh që duhet t’i lajmë duart me ujë dhe sapun, por edhe t’i dezinfektojmë. Pra, nuk duhet të prekim mukozën e gojës dhe të hundës. Nëse ne nuk i prekim këto, atëherë i zvogëlojmë gjasat që të transmetohet virusi”, ka bërë me dije Krasniqi.

Infektologu ka folur edhe për rastet që mund të kenë dyshime lidhur me shkaqet e vdekjes.

Ai ka thënë se Klinika Infektive në vetëm dy raste nuk ka mundur t’i identifikojë rastet e vdekjes, por në rastet e tjera po.

“Klinika Infektive në vetëm dy raste nuk ka arritur t’i argumentojë shkaqet e vdekjes, në rastet e tjera ekzistimi i Covid-19 nuk vihet në dyshim. Rastet kanë pasur edhe sëmundje të tjera. Shkaqet e vdekjes i vërteton autopsia”, ka treguar ai.

Faktor kryesor Krasniqi e konsideron higjienën personale.

“Por, sigurisht se vonesa e ardhjes së virusit ka ndihmuar që të mobilizohemi më shumë lidhur me përballimin e rasteve. Si faktor tjetër që na ndihmon neve është edhe metoda më e mirë që kemi një kujdes për higjienën  personale. Edhe ne në Kosovë i kushtojmë rëndësi higjienës, së paku brenda në shtëpi. Ne si Kosovë kemi përvojë solide që 20 vjet në përballimin e pandemive”, ka thënë Krasniqi.

Ndër të tjera, ai ka treguar se, krahas shëndetësisë, rëndësi ka edhe mirëqenia fizike, ekonomike dhe psikike e qytetarëve. “Duhet të ulen ekspertët e ekonomisë në njërën anë dhe në anën tjetër ata të shëndetësisë. Edhe ne mjekët në definicionin e shëndetësisë e kemi edhe mirëqenien fizike dhe psikike”, ka thënë ai.

Infektologu Krasniqi ka shtuar se 80 për qind e pacientëve e kanë kaluar sëmundjen më lehtë në kushte shtëpiake. “80 për qind e pacientëve e kanë kaluar sëmundjen më lehtë në shtëpi dhe 20 për qind kanë pasur nevojë të hospitalizohen. Prej 900 rasteve, rreth 200 persona kanë pasur nevojë për hospitalizim. Ne në Klinikë Infektive kemi pasur 125 shtretër dhe kemi qenë të mobilizuar edhe si QKUK. Rëndësi ka numri i paraqitjes së rasteve, numri i të hospitalizuarve dhe numri i të vdekurve në paraqitjen e analizave.

Ne nuk mund të krahasohemi as me Suedinë dhe Belgjikën, por unë nuk pres të krahasohemi as me Wuhanin dhe Lombardinë. Unë nuk pres që të kemi një situatë të tillë”, ka thënë Krasniqi dhe ka treguar se asnjë nga familja e këtij virusi nuk ka mbijetuar gjatë.

“Prej shtatë virusëve të kësaj familjeje të koronavirusëve, asnjë prej tyre nuk ka arritur të mbijetojë kaq gjatë. Ne nuk e dimë se si do të sillet virusi. Covid-19 është më transmetues sesa SARS-i. Ka ngjashmëri, por që shpërndahet shumë më lehtë”, ka thënë Krasniqi.

 

(B. D.: “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet…