Koronavirusi dhe seksi
Nga Edmond Tupja
Kohë shumë të vështira kanë ardhur për njerëzimin, sidomos për shqiptarët, që, si tërë popujt e vendeve me diell e det, por sidomos me vajza të hijshme e lozonjare dhe me djem të pashëm e të fuqishëm, adhurojnë të dalin e të shëtisin përjashta, të kalojnë orë të tëra nëpër lokale duke kullotur sytë e, jo rrallëherë, duke u argalisur midis tyre, pra me njëra-tjetrën, me njëri-tjetrin, madje duke u shkartisur njëra me tjetrin ose tjetra me njërin.
Kur them “kohë shumë të vështira”, e kam fjalën sot po aq tek marrja e masave të rrepta higjienike, sa edhe tek kufizimi i daljeve përjashta, të cilat po bëhen shkak për përhapjen e koronavirusit të pamëshirshëm që po bën kërdinë nëpër botë, pa kursyer asnjë grupmoshë apo shtresë shoqërore.
Kufizimet e daljeve nga shtëpia janë, pra, të domosdoshme, dhe të gjitha qeveritë në botë, për të mbrojtur qytetaret dhe qytetarët e tyre, kanë përcaktuar strategji të ndryshme, në vartësi të kushteve konkrete natyrore, socialekonomike e psikologjike të secilit vend e popull.
Mirëpo, në këtë kuadër, tek lundroja pardje në Internet, më saktë në Yahoo, rashë në një lajm që më la pa gojë: në Peru, kufizimi i daljeve i vendosur nga qeveria e atjeshme sapo kishte ndryshuar: Tash e tutje, meshkujt kishin të drejtë liridaljeje vetëm të hënave, të mërkurave dhe të premteve (ditë teke të javës), kurse femrat vetëm të martave, të enjteve dhe të shtunave (ditë çifte të javës).
Po dita e diel? Pushim, me siguri, për të dy palët, ma ha mendja. Natyrisht, në këtë mënyrë, edhe në gjendje emergjence sanitare, ruhet barazia gjinore dhe qeveria peruane po fiton pikë në vlerësimin tim për atë, kur, krejt papritmas, ra një tërmet në kujtesën time 73-vjeçare dhe nga nënshtresat e trurit tim erdhi një shkulm lave që më kujtoi një anekdotë të kohës së rinisë sime të largët, pra, detyrimisht, të mjegulluar nga mosha. Tani, me lejen e lexueseve dhe të lexuesve të sotëm, por, në fund të fundit, edhe pa lejen e tyre, po e tregoj deri diku me hollësi anekdotën në fjalë:
Një burrë i ri kishte probleme me zemrën dhe e shoqja e shpuri te mjeku i lagjes, i cili e përcolli te kardiologu, ky e çoi për analiza në spital dhe, si përfundim, doli se burri në fjalë duhej të rrallonte marrëdhëniet seksuale me të shoqen nga një herë ditë për ditë ose natë për natë (madje, ndoshta, edhe dy a më shumë) vetëm në tri herë në javë. Kështu vepruan, pra, dhe caktuan për të bërë dashuri (ose seks, siç thuhet sot) tri nga ditët e javës që kishin tingullin “r” në emrin e tyre: të martën, të mërkurën dhe të premten. Një të shtunë në darkë (ditë pa “r” në emrin e vet), pasi kishte festuar ditëlindjen e tij me të ngrëna e të pira, me peshk, mish e ëmbëlsira, burri, i stërngarkuar me proteina, u orvat ta bindte të shoqen që të bënin dashuri (ose seks, siç thuhet sot), kurse ajo nuk pranoi që nuk pranoi duke i qëndruar fjalës së mjekut, sepse, me siguri, mendonte se me tri herë në javë do ta shijonte më thellë, gjatë e gjerë lumturinë seksuale ndër vite, ngaqë, siç i kishte thënë edhe e ëma para martesës, “tahmaja e madhe të lë pa gjë”.
Duke vërejtur qëndresën e saj të palëkundshme, i shoqi u mjaftua me një “Mirë, pra, e lëmë për nesër!”. E nesërmja erdhi shpejt, darka gjithashtu, ata hëngrën e pinë nga çka kishte tepruar pas përvjetorit të ditëlindjes dhe ranë në shtrat, por, befas, ai iu hodh asaj sipër me një vrull të paparë, ajo e shtyu me forcë duke i bërtitur: “Ore njeri, po sot është e diel, kjo fjalë nuk ka ‘r’!”. Burri brofi përpjetë: “Jo, moj jo! – i ulëriti – Për mua sot është e dRiel”.
Por le të kthehemi te vendimi i lartpërmendur i qeverisë së Perusë: Në atë vend, meshkujt paskan liridalje gjatë ditëve teke të javës, por një teke për ne shqiptarët është një armë gjuetie me një grykë, pra, po të shprehemi si Frojdi, një simbol i penisit, me anë të të cilit mashkulli e depërton femrën të paktën një herë! Nga ana tjetër, femrat paskan liridalje gjatë ditëve çifte të javës, por për ne shqiptarët një çifte është një armë gjuetie me dy gryka, pra, po të shprehemi prapë si Frojdi, një simbol i dyfishtë, d.m.th. edhe i vaginës, edhe i anusit, ku femra mund të depërtohet nga mashkulli. Rrjedhimisht, miqtë e mi Françesk Armadhi dhe Namik Arvogli, të paturpshëm siç janë, rrezikojnë t’i propozojnë kryeministrit Rama që të ndjekë shembullin e Perusë në dhënien e liridaljeve në kuadrin e ngujimit apo më saktë të shtetrrethimit që po përjeton me dhimbje të pashoqe populli ynë, një popull, ndër të tjera, veçanërisht erotik! Pse kështu?
Sepse liridalje e alternuar, do të thotë edhe dashuri (ose seks, siç thuhet sot) i alternuar me pasojë të drejtpërdrejtë ndezjen e mallit e të epshit në gjirin e çifteve, pra, edhe rritjen e numrit të grave shtatzëna, d.m.th. të popullsisë, që të rritet kësisoj sa më shumë numri i emigrantëve shqiptarë në vendet e zhvilluara perëndimore. Së fundi, meqë ra fjala, ja si e ka përjetuar shtetrrethimin në vitin 1942, në kohën e pushtimit të Francës nga nazistët gjermanë, poeti i mirënjohur francez Paul Eluard, në një poezi të thjeshtë, por fort domethënëse, me titullin “Shtetrrethim” pikërisht: “Çfarë t’i bësh te dera roje kishim / Çfarë t’i bësh brenda kyçur ishim / Çfarë t’i bësh rruga ishte e bllokuar / Çfarë t’i bësh qyteti ishte i nënshtruar / Çfarë t’i bësh ajo kishte shumë uri / Çfarë t’i bësh armë s’kishim më tani / Çfarë t’i bësh nata sapo kishte rënë / Çfarë t’i bësh bashkë dashuri bëmë./ Panorama