Koronavirusi ka prekur 154 zyrtarë policorë
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë pandemisë 154 zyrtarë policorë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19, prej tyre janë shëruar 77, ndërsa zyrtari policor, Ilir Gjokaj ka ndërruar jetë.
Përmes një njoftimi për medie, policia ka treguar se nga paraqitja e pandemisë ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, të bazuara në vendimet e institucioneve të Kosovës dhe planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Covid-19.
“Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante. Kujdes të veçantë i ka kushtuar aplikimit të masave mbrojtëse për qytetarët por edhe për vet zyrtarët policor, të cilët ballafaqohen me situata dhe raste të natyrave të ndryshme si reagues të parë. Që nga paraqitja e pandemisë e deri më sot, 154 zyrtarë policorë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19, prej tyre janë shëruar 77 zyrtar policor, ende aktiv në trajtim janë 76 zyrtarë policorë, ndërsa fatkeqësisht zyrtari policor Ilir Gjokaj, i lindur në vitin 1981 në Gjakovë, mbrëmë në orët e vona (16.07.2020) ka ndërruar jetë”, është thënë në njoftimin e policisë, duke treguar për simptomat e para që i ka pasur Ilir Gjokaj.
“Zyrtari policor i cili ka qenë duke shërbyer në Stacionin Policor në Gjakovë, nga data 07.07.2020 është lajmëruar në pushim mjekësor për shkak të problemeve më bosht kurrizor, kurse nga data 11.07.2020 është hospitalizuar në repartin pulmologjik për shkak të problemeve me frymëmarrje. Pas testeve të kryera, me datë 14.07.2020 kishte rezultuar pozitiv në Covid 19, ndërsa me datë 15.07.2020 është transferuar për trajtim mjekësor në Prishtinë. Policia e Kosovës përmes DRP Gjakovë, Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore në bashkëpunim me ekipet mjekësore janë përkujdesur në vazhdimësi për zyrtarin policor, dhe tani me rastin e humbjes së tij ju shpreh ngushëllime familjes dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”, është thënë në njoftimin e policisë.
(M.K / Epoka e re)