Koronavirusi nuk është më agresiv si ka qenë
Infektologu Valbon Krasniqi ka folur për situatën e përgjithshme të shëndetësisë në vend sa i përket koronavirusit. Në RTV Dukagjini ai ka thënë se numër të rasteve me koronavirus mund të presim edhe gjatë ditëve në vijim por që, sipas tij, qytetarët nuk duhet të shqetësohen pasi kjo mund të konsiderohet një ecuri normale e pandemisë.
“Krejt çfarë ne duhet të bëjmë është që të gjurmohen me kohë rastet e kontaktit të këtyre personave”, ka thënë ai.
Infektologu ka shtuar se tashmë kanë mbetur disa vatra lokale të koronavirusit në Prishtinë apo Prizren por që, sipas tij, pandemia është duke shkuar drejt fundit. Krasniqi la bërë me dije se ajo që po shihet këto ditë është se virusi e ka humbur aftësinë për të shkaktuar infeksione dhe agresivitetin e vet.
“Nuk po kemi shumë të infektuar, por edhe ata që janë infektuar nuk kanë pasur gjendje të rëndë si më parë”, ka treguar Krasniqi, ndërkohë ka shprehur mendimin se pandemia është menaxhuar mirë në Kosovë pasi nuk ka pasur nevojë të shtohen kapacitetet e spitaleve.
E sa iu përket objekteve fetare, kafeneve dhe restoranteve, Krasniqi ka thënë se është bërë mirë që nuk janë hapur. “Duhet t’i ktheheni jetës normale. Ne nuk kemi dendësi të madhe të popullsisë që favorizon përhapjen e shpejtë të virusit”, ka thënë Krasniqi.