Korporata amerikane do të hapë 1 000 vende pune në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar të mërkurën në Prizren përfaqësuesit e Korporatës së njohur amerikane “Sutherland Global”, e cila merret me procesimin e shërbimeve biznesore.
Kjo kompani ka ardhur të investojë në Kosovë, ndërsa do të hapë mbi 1 000 vende të reja pune në fushën e IT-së.
Kryeparlamentari Veseli ka thënë se në kontaktin e tij të parë me këtë kompani i ka inkurajuar drejtuesit e saj që të vijnë dhe investojnë në Kosovë.
Veseli ka treguar se sot kjo kompani numëron 150 të punësuar, ndërsa brenda dy viteve të ardhshme edhe 1 mijë të tjerë.
“Ne shumë shpejt do të kemi liberalizimin e vizave, por ne duhet të punojmë që rininë ta mbajmë në Kosovë dhe perspektivën ta ketë këtu”, ka theksuar Veseli.
Sipas tij, Dekada e Re është dekada e teknologjisë informative dhe e të rinjve të Kosovës.
“Sikur këtë kompani, inkurajoj edhe kompani të tjera që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. Kosova ka rini të mrekullueshme, punëtore, të talentuar, optimiste dhe kreative”, është shprehur Veseli.
Ndërkohë zëvendësdrejtori i kompanisë, Ks Kumar, ka thënë se të gjitha shërbimet që ofron kjo kompani u ofrohen kompanive më të mëdha në botë.
Ai ka treguar se ndihet i kënaqur që për katër muaj të operimit të saj në Kosovë, kompania ka arritur të punësojë 150 të reja dhe rinj kosovarë.
“Falënderoj kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe për mbështetjen e ofruar. Ky është vetëm fillimi. Besoj që për një periudhë prej 18-24 muaj, do të jemi në gjendje të ofrojmë edhe 1 mijë vende të reja pune për kosovarët”, ka thënë Kumar.
Ai ka shprehur besimin se me mbështetjen e institucioneve do te krijohen vende të mira pune dhe do të organizohen trajnime për të rinjtë, të cilët do të jenë të gatshëm për këto vende pune.
/Epoka e re/