“Korridoret turistike”, Conte kërcënon BE me largim
Kryeministri italian Giuseppe Conte ka kritikuar planin e propozuar të Bashkimit Evropian për turizmin që mund të lejojë të ashtuquajturat korridore të gjelbërta midis vendeve brenda bllokut, dhe kërcënoi se kjo mund të bëjë që Italia të largohej nga BE.
Korridoret e sugjeruar të turizmit do të lejonin që disa vende me nivele të ulëta të infeksionit Covid-19 të hapen në disa destinacione të zgjedhura derisa kufijtë të rihapen plotësisht, shkruan CNN.
“Ne nuk pranojmë marrëveshje bilaterale brenda Bashkimit Evropian që do të krijojnë shtigje të privilegjuara të turistëve,” tha Conte gjatë një konference për shtyp të mërkurën e 13 majit.
“Turizmi nuk mund të kushtëzohet nga marrëveshje bilaterale ose ne do të jemi jashtë Bashkimit Evropian, nuk do ta lejojmë kurrë atë”, shtoi ai, duke nënvizuar se turizmi përfaqëson deri në 13% të PBB-së italiane.
Deklarata e Contes vjen teksa BE po debaton nëse do të lejojë të ashtuquajturat “korridore të gjelbërta” ose “flluska udhëtimi” midis vendeve në bazë të situatës së tyre epidemiologjike.
Conte tha se ai i ka thënë Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, se këto “korridore” do të nënkuptonin “shkatërrimin” e tregut të vetëm të BE-së.
Humbjet në sektorin italian të turizmit për shkak të koronavirusit mund të jenë rreth 120 miliardë euro deri në fund të vitit, sipas Konfederatës Italiane të Ndërmarrjeve ‘Confcommercio’. Rreth 420,000 punonjës dhe 270,000 biznese në tregti dhe turizëm janë gjithashtu të rrezikuar.
Qeveria italiane ka ndarë 5 miliardë euro për të mbështetur sektorin e turizmit dhe kulturës në paketën e stimulit prej 55 miliardë eurosh për të ndihmuar vendin të rikuperohet nga goditja ekonomike e krizës së koronavirusit.