Korrigjimi i kufijve, Hovenier: Një ide e tillë do të funksiononte vetëm nëse do të kishte mbështetje popullore në Kosovë e Serbi
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, beson se në këtë fazë procesit të dialogut nuk i duhet organizimi i një konference ndërkombëtare, meqë në tryezë, sipas tij, është një “marrëveshje e mirë”.
“Nëse lexoni Marrëveshjen Bazë dhe aneksin e zbatimit, ka shumë zotime të mira”, ka thënë Hovenier në një intervistë për Kanal 10.
I pyetur për mundësinë e diskutimit të çështjeve si shkëmbimi i territoreve ose ndryshimi i mundshëm i kufijve në një konferencë të tillë ndërkombëtare, top-diplomati amerikan thotë se ide të tilla do të funksiononin vetëm nëse do të kishte mbështetje popullore nga të dyja palët për të.
“Sa e kuptoj unë, nuk besoj se ka mbështetje nga të dy popujt për një gjë të tillë. Dhe kështu mendoj se është jashtë diskutimit dhe sigurisht për qeverinë time është çështje e mbyllur”, ka theksuar ai.
Hovenier ndër të tjera ka thënë se ka një urgjencë për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, dhe se në këtë fazë duhet të punohet më shumë në këtë drejtim.
“Sa më gjatë të ketë një vonesë në zbatim, aq më e brishtë është situata. Dhe kështu ne nuk jemi të interesuar për brishtësinë. Ne nuk jemi të interesuar për de-stabilizimin. Ne nuk jemi të interesuar që Kosova dhe Serbia të jenë burim de-stabiliteti dhe problemi në rajon. Përkundrazi, do të dëshironim t’i shihnim ato si shembuj të asaj që mund të arrihet kur çështjet e vështira trajtohen në mënyra të përgjegjshme. Pra, ka një urgjencë për të”.
Duke folur për zgjedhjet e reja në Serbi, Hovenier thekson se ky fakt nuk ndryshon asgjë në terren meqë Serbia ka detyrime që dalin nga Marrëveshja Bazë.
E njëjta gjë, sipas Hovenier, vlen edhe për Kosovën.
“Ashtu si Kosova ka zotime që ka bërë që duhet t’i zbatojë pavarësisht se çfarë po ndodh politikisht tani. Dhe kështu, unë mendoj se po flasim, shpresoj se nuk po flasim muaj apo vite, shpresoj se po flasim më pak kohë, më shpejt që të mund të ecim përpara me zbatimin e plotë nga të dyja palët të të gjitha detyrimeve të tyre. Siç thashë, pa parakushte dhe pa vonesa. Kjo është ajo që liderët evropianë kanë kërkuar dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin”.