Korrigjimi i kufirit shuan ëndrrën serbe për ndarje të Kosovës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se korrigjimi i kufirit me Serbinë fundos ëndrrën serbe për ndarje apo bosnjëzim të Kosovës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se ata që e kundërshtojnë këtë ide janë kamikazë të fuqishëm politikë.
“Korrigjimi i kufijve dhe përfshirja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, përfundimisht e shuan ëndrrën e kamotshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë për ndarjen e Kosovës apo krijimin e Republika Srpskas në Kosovë. Është me interes të ritheksoj se i gjithë procesi duhet të përcillet me transparencë të plotë dhe llogaridhënie dhe në fund të fundit qytetarët përmes referendumit do ta thonë fjalën e vet dhe vullnetin e tyre”, ka thënë Thaçi.
Shefi i shtetit është zotuar se për këtë çështje dhe për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë do ta thonë fjalën qytetarët e Kosovës nëpërmjet referendumit.
Presidenti Thaçi ka theksuar se nuk do të lejojë askënd ta bllokojë arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë, e cila, sipas tij, siguron të ardhme evropiane për shtetin e Kosovës.
Ai e ka ftuar opozitën të bëhet pjesë e dialogut pasi, sipas tij, ballafaqimi i argumenteve duhet të ndodhë në tavolinë.
“Opozita dhe të gjitha partitë politike janë në favor të dialogut, janë për negociata, ndërsa ballafaqimi i argumenteve duhet të ndodhë në tavolinë. Shumë lehtë është të jemi kritikë dhe shumë vështirë është të ballafaqohesh me kundërshtarët e Kosovës. Nuk është e lehtë as për mua të ballafaqohem me Vuçiqin. Lehtë është të qëndrosh si spektator, por vështirë është të luash. Kështu që edhe subjektet politike duhet të futen në lojë dhe t’i marrin përgjegjësit gjatë betejës. Nëse nuk duan, në fund të këtij procesi, nëse arrijmë ndonjë marrëveshje, atëherë duhet që qytetarët nëpërmjet referendumit të deklarohen për ose kundër kësaj marrëveshje”, ka deklaruar Thaçi.
Presidenti ka thënë se nuk do të lejojë që Asociacioni i Komunave Serbe të ketë kompetenca ekzekutive.
“Pikërisht korrigjimi i kufirit Kosovë – Serbi dhe integrimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën eliminon përfundimisht pretendimet e tilla për pushtet ekzekutiv në Kosovë, duke nënkuptuar këtu edhe marrëveshjen e ish- kryeministrit Isa Mustafa me Vuçiqin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, me pretendimin për pushtet të tretë ekzekutiv apo ndonjë pretendim për Republika Srpska në Kosovë. Diçka e tillë nuk do të lejoj të ndodhë”, është shprehur presidenti Thaçi.
Thaçi ka shprehur optimizëm se një bazë e mirë e marrëveshjes me Serbinë do të arrihet në pranverë të vitit të ardhshëm.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)