Korrigjimi i kufirit s’mund të bëhet pa mbështetjen e fuqive të mëdha
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë se në rrethanat aktuale është paradoksale të flitet për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se ideja për korrigjimin e kufirit me Serbinë është e pazbatueshme meqë nuk përkrahet nga vendet e fuqishme.
“Në kuptimin praktik, nëse shtetet nuk e njohin njëri-tjetrin dhe nëse njëri e mohon ekzistencën e tjetrit, është paradoksale të flitet për kufijtë ndërkombëtarë, madje mos të flasim për korrigjimin e tyre. Korrigjimi i kufirit nuk mund të bëhet pa mbështetjen e fuqive të mëdha. Nëse ShBA-ja, Gjermania dhe vendet e tjera të fuqishme e kundërshtojnë këtë atëherë e tëra që ngelet në këtë drejtim janë vetëm deklaratat dhe konsumi medial i këtyre ditëve. Kur kësaj i shtohet fakti se të dyja shtetet nuk komunikojnë normalisht me njëri-tjetrin, atëherë kjo bëhet absolutisht e pazbatueshme”, ka deklaruar Hoti.
Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e dialogut, por në asnjë mënyrë të bëjë koncesione të cilat do të bartnin rrezikshmëri për funksionalitetin e shtetit.
Në këtë kontekst, sipas Hotit, më e rëndësishme është se çfarë flitet dhe çfarë vendimesh merren në kuadër të dialogut se sa kush e udhëheq këtë proces.
Ai ka theksuar se Kosova e ka obligim ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sikur që ka obligim t’i zbatojë në përpikëri rekomandimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese dhe, sipas Hotit, ky Asociacion nuk guxon të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të ketë as një lloj kompetence ekzekutive.
“Kjo kompetencë do t’imbante përfundimisht serbët e Kosovës të izoluar dhe shtetin e Kosovës në masë të madhe do ta bënte jofunksional”, është shprehur Hoti.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)