Korrjet në përfundim, bereqet pak
Për dallim nga vitet e kaluara, këtë verë nuk mbahet mend të ketë pasur korreshirje të grurit me rendimente më të ulëta.
Asnjë sipërfaqe me grurë nuk ka arritur nga rendimenti i saj t’i mbulojë shpenzimet e kombajnës as 50 për qind të çmimit të saj.
Krejt ky rendiment i ulët është rrjedhojë e kushteve jo të mira atmosferike, në rend të parë të reshjeve të shiut të përditshme në periudhën kur kësaj kulture i duhej më së paku lagështia.
Beteja për bukën e motmotit tashmë veç po i afrohet fundit në mbarë vendin.
“Edhe këto pak ara me grurë që kanë mbetur pa u korrur ende do të kalojnë ditë se autokombajna nuk mund të hyjë në to, sepse toka është ende në ujë. Pra, po të hyjë autokombajna ajo menjëherë do të mbesë në arë. Në shumë sipërfaqe tashmë gruri është prishur nga lagështia. Rendimentet janë, për të mos thënë zero. Bile as që ia vlen të korret më gruri, sepse është prishur i tëri”, ka thënë bujku Irfan Sadiku nga fshati Bujari i Komunës së Lipjanit.
Te mulliri “Qali” afër Lipjanit disa bujq sillnin grurin pasi kishin bërë korrjen e tij.
“Jam nga fshati Gadime e Ulët. Në këtë mulli kam sjellë grurin që sapo e korra”, ka thënë bujku, Fatmir Tasholli.
Ai ka treguar se nga 97 ari me grurë që ka korrur, ka marrë afër katër mijë kilogramë me grurë. Sipas Tashollit, nuk ishte një rendiment për t’u ankuar.
Mirëpo, nga bisedat që morëm nga disa bujq të tjerë, ata theksuan se një hektar ka sjellë rendiment as pak e as më shumë se 2 000 kilogramë me grurë.
Pronarët e mullirit “Qali” kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re” se sivjet ka shumë pak grurë që sjellin bujqit.
Arsyeja është se rendimentet janë katastrofë të ulëta. Pra, sipas tyre, të rralla janë ato grunaja që për një hektar kanë dhënë 3 000 kilogramë grurë.
Shkaktarë janë shirat e shpeshta, dëmtimet nga breshëri si dhe periudha e gjatë e kohës së vranët. Madje, sipas tyre, çfarë është edhe më e keqja, edhe ai grurë që merret është i cilësisë shumë të dobët.
Ankesa të ngjashme kishin edhe bujqit e fshatrave të komunave të tjera të Kosovës, si në Cërnillë të Ferizajt, Davidovc të Shtimes, në Gollak, në Keqekollë, ku në këtë fshat na foli për rendimente të ulëta bujku, Faik Ramadani. P
o ashtu, ankesa kishin edhe bujqit e fshatit Koliq dhe Prapashticë të Komunës së Prishtinës. Edhe në fshatrat e rrafshit të kësaj komune rendimentet e grurit ishin jo të mira. Madje shumë sipërfaqe ishin dëmtuar nga breshëri, si në Besi dhe Prugovc.
(Ismail Rexhepi)