KORRUPSIONI I GJITHKUNDSHEM

10 dhjetor 2018 | 22:31

Rexhep Qosja

Korrupsioni është një e keqe e madhe në jetën politike, shtetërore dhe shoqërore, në Kosovë dhe në Shqipëri. Institucionet shtetërore, kombëtare dhe vendore, ekonomia, arsimi, para së gjithash arsimi i lartë, shëndetësia, madje edhe institucione shkencore e artistike kombëtare janë vatra të korrupsionit politik dhe ekonomik. 

Oligarkia sunduese, oligarkët e lartë dhe vendorë, janë kampionët e korrupsionit. Ata janë të pandëshkueshëm pavarësisht sa marrin mito, pavarësisht sa plaçkisin e sa rrëmbejnë, pavarësisht sa vjedhin, pavarësisht sa shkelin Kushtetutë e ligje, sa kapin shtet, prokuror, gjyqësor. Në vend të tyre për mito, për korrupsion prej njëqind, njëqind e pesëdhjetë a dyqind eurosh ndëshkohen ndonjë mësues, ndonjë profesor, ndonjë mjek, ndonjë polic, ndonjë individ tjetër duarshkurtër, por jo ata, duartgjatëgishtore të të cilëve kapin pamatshëm shumë. 

Korrupsioni është një e keqe aq e madhe saqë sociologë, psikologë dhe politikologë të pavarur a servilë e quajnë kancer i shoqërisë. Ku lulëzon korrupsioni s’mund të ketë demokraci, thonë ata. 

Korrupsioni në Kosovë ka shtrirje kohore më të gjatë se në Shqipëri. në Kosovë korrupsioni ishte shumë më pak i ndëshkueshëm se në Shqipëri në radhë të parë sepse rendi politik shoqëror në Jugosllavi, e kjo do të thotë edhe në Kosovë, ishte më “liberal” në përgjithësi, prandaj ishte më liberal edhe ndaj korrupsionit. Por, edhe në Shqipëri, menjëherë pas rënies së komunizmit, korrupsioni do të fillojë të lulëzojë shpejt. Partitë e reja, të djathta e të majta, që do të krijohen në Shqipëri dhe në Kosovë, do t’i frymëzojnë në mos jo të gjithë, së paku një numër të dukshëm të udhëheqjeve të tyre, që të mendojnë jo vetëm se si ta bëjnë politikën, por edhe sesi të përfitojnë materialisht për mirëqenien e shtuar të familjeve të tyre e dikur edhe të të afërmve, miqve e bashkëpartiakëve të tyre. Frytet e punës së tyre, pasuritë e tyre do të dëshmojnë se parim i politikës së tyre është bërë thënia: njëherë vjen vera kah dera. Dhe, këtë verë që u ka ardhur do të bëjnë çmos që ta shfrytëzojnë në çdo mënyrë, pa zgjedhur mjete, në terr, në mjegull e në dritë. 

Në Kosovë në atë kohë, mbas krijimit të partive të reja, ishte një parti, ishte Lidhja Demokratike e Kosovës, që kishte shumë anëtarë, që në të vërtetë kishte trashëguar gjithë anëtarët e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, që dinin mirë se çka krejt mund të bëhej e çka s’mund të bëhej, s’duhej të bëhej! Por ata dinin mirë edhe se si mund të bëhej ajo që ndalohej të bëhej. Që prej ditëve të para të krijimit të saj, Lidhja Demokratike e Kosovës ishte një parti e qulltë që luante një rol kryesisht të zbehtë opozitar ndaj Partisë Socialiste të Serbisë në krye me Sllobodan Millosheviqin, që bëhej e aftë kur ishte fjala për përdorimin shumë duarlirë të pasurive që i kishte përdorur Lidhja e Komunistëve. Për shkak të gjendjes politike në të cilën gjendej Kosova atëherë, për shkak të dhunës e të terrorit të regjimit të Millosheviqit, shqiptarët i shikonin plotësisht të heshtur disa sjellje, veprime, vendime të LDK-së, që ishin plotësisht korruptive, dhe ishin ashtu korruptive sepse shfrytëzoheshin për privilegje të papranueshme, të ndëshkueshme të njerëzve kryesorë të kësaj Partie qoftë në udhëheqjen qendrore, qoftë në udhëheqjet e disa organizatave të saj bazë nëpër komuna. Sjelljet dhe veprimet korruptive në Kryesinë dhe në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, të mbuluara me propagandë qesharake atdhetare, do të ndikojnë që populli të bëhet jo vetëm i mënjanërishëm (indiferent), por, kur e kur, një pjesë e dukshme e tij, edhe fare mirëkuptues ndajkorrupsionittë asaj Partie pavarësisht çfarë përmasash dhe çfarë pasojash do të mund të kishte ai. 

Me pasurimin e lehtë e të shpejtë, në të vërtetë me pasurimin misterioz të disa anëtarëve të LDK-së, me pasurimin e disa të tjerëve me ndihmën, a më mirë të thuhet me ndërmjetësimin e disa zyrtarëve serbë në Kosovë dhe në Serbi, me shitjen e dëshmive të shkruara një numri të madh të rinjve tanë me të cilat dëshmohej se ata detyrohen të emigrojnë prej Kosovës sepse rrezikohen prej rekrutimit në Armatën Jugosllave, më vonë serbo- malazeze, me blerjen e shtëpisë së kryetarit të LDK-së me trepërqindëshin e dhënë për arsimin prej qytetarëve si dhe me privilegje e lukse të ndryshme të disa zyrtarëve të kësaj partie në kushte të pushtimit, në të vërtetë do të fillojë “popullorësia” e korrupsionit në partitë tona dhe më vonë, pas çlirimit, në shtetin e Kosovës! 

Në të vërtetë historia e turpshme e korrupsionit në Kosovë fillon me sjelljet korruptive dhe me korrupsionin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe suitës së tij, që u kishte rënë në sy edhe diplomatëve amerikanë. 

Me kohë korrupsioni do të bëhet sistem si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Vetëm kur korrupsioni bëhet përbërës sistemor, i “ligjshëm”, i rendit politik shoqëror dhe kushtetutar juridik mund të ndodhë pasurimi i njerëzve politikë për një vit a disa vjet pa qenë të ndëshkueshëm, siç ka ndodhur në Kosovë e në Shqipëri. 

Fuqitë pushtetore, duart e gjata dhe mendjet e shkurtra të një numri pushtetarësh, qendrorë dhe vendorë, do ta kenë fjalën e parë dhe të fundit gjatë vendimmarrjeve në të gjitha fushat e jetës: në punësim, në përparim individual e kolektiv, në shpërblim e çmim në administratën qendrore e komunale, në diplomaci, në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, në kulturë, në shkencë, në sigurim e polici, në gjyqësor, në ndërtimtari, në shitblerje të pasurive të përbashkëta, kombëtare. E të tjera. E të tjera të ngjashme e të pangjashme. 

Edhe fondet e ndryshme, kombëtare e ndërkombëtare, edhe huamarrjet e huadhëniet, edhe tenderët, dikur të quajtura konkurse – të gjitha këto, shumë të nevojshme për zhvillimin e Kosovës dhe të Shqipërisë, do të bëhen lëndë e madhe, e shtrenjtë, për të cilën do të vendosë fuqia ndikuese, madje, vendimmarrëse e heronjve shtetërorë të korrupsionit. 

Është edhe një e mirë tjetër e përgjithshme, shumë e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës dhe lulëzimin e korrupsionit – investimet e të gjitha prejardhjeve. Dhe, siç thuhet, në këtë fushë do të lulëzojë një korrupsion i dyanshëm: korrupsioni i heronjve vendorë dhe korrupsioni i heronjve ndërkombëtarë, kryesisht evropianë, me punë koloniale në Kosovë! 

Po burimi më i frytshëm i korrupsionit janë të ashtuquajturit tenderë prej komunistëve të quajtur konkurse. Aty korrupsioni jepet e merret në mënyra vështirë të zbulueshme sepse jepet e merret kryesisht pa dokument të shkruar dhe kryesisht me para në dorë. Për këtë arsye zyrtarët e ndryshëm qoftë edhe drejtorët e vegjël, posa ulen në karrigen që u dhurohet, e para që bëjnë është shpallja e tenderit në qoftë se u është dhënë ajo mundësi! Tenderët në Kosovë e në Shqipëri shumë zyrtarit ia kanë bërë fytyrën zift përgjithmonë. 

Të gjitha këto janë forma të korrupsionit të paligjshëm, ilegal. Por, në Kosovë dhe në Shqipëri do të lulëzojë dhe një lloj korrupsioni, që mund të quhet i ligjshëm, legal! Në këtë korrupsion të ligjshëm, legal bëjnë pjesë privilegjet e ndryshme që kryetarët e ndryshëm, më së pari ata të kuvendeve e qeverive, i krijojnë vetes e, pastaj, edhe disa të tjerëve: ministrave, zëvendësministrave, deputetëve, sekretarëve e sekretareshave, këshilltareshave, këshilltarëve e zëvendëskëshilltarëve, ambasadorëve, diplomatëve të tjerë, shefave, drejtorëve, bordexhinjve e sa të tjerëve. Rrogat e tyre palejueshëm të larta, si të mos ishin Kosova dhe Shqipëria, të varfra siç janë! Pensionet palejueshëm të larta të të gjithë këtyre zyrtarëve në krahasim me pensionet e kolegëve të tyre, fjala vjen, në universitetet publike! Ushtrimi i disa punëve njëkohësisht! Pjesëmarrja në disa këshilla drejtues njëkohësisht, por kryerja e punëve në disa prej tyre jo vetjakisht po përmes asistentëve! Sigurimi i titujve të ndryshëm në bazë të konfliktit të interesit! E të tjera. Shembulli më neveritës për arritjen e titujve më të lartë shkencorë në sajë të konfliktit të interesit është kryeministri i sotëm i Kosovës i cili, megjithëse analfabet i shkencës, por duke qenë kryetar i kryeqytetit të Kosovës, i Prishtinës dhe, njëkohësisht, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, në sajë të servilizmit të ushtruar në mënyrë shkollore në kohën e pushtimit serb të grupit privatizues të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, do të bëhet anëtar korrespondent e, mandej, edhe anëtar i rregullt i kësaj Akademie: i Akademisë së Shkencave e Arteve të Preshevës! 

Korrupsioni në Kosovë dhe në Shqipëri do të bëhet lehtë i dukshëm dhe lehtë i prekshëm. një numër i njerëzve të politikës do të pasurohen shumë, shumë dhe do të pasurohen lehtë e shpejt, kush për një, kush për dy, kush për tri e kush për pesë a dhjetë vjet. Ata do të mund të quhen pasunarë të mëdhenj në Kosovë e në Shqipëri, pasurinë e të cilëve, të luajtshme e të paluajtshme, do ta përbëjnë: shtëpi të mëdha, luksoze, në të cilat do të jenë të instaluar edhe ashensorë, shtëpi, me shumë tokë – ara, livadhe, male, shumëhektarëshe, që prej fqinjëve quhen ferma, ndërtesa me shumë banesa të shitura a të dhëna me qira, banesa të ndryshme – deri në shtatë banesa të blera, në disa ndërtesa, që jepen me qira, hotele, motele,restorante, kafiteri, pompa të benzinës, ara e livadhe shumëhektarëshe, shitore, klube sportive, në të cilat zyrtarët zakonisht janë aksionarë, miliona euro, dollarë a frangazvicerane të deponuara në banka të jashtme me emrat e ndonjërit prej familjarëve a të kujt tjetër më shpesh se në emrin e vet apo, mund të jetë, edhe të huazuara me fajde osetë varrosura në oborret e shtëpive, të kasolleve apo në arat e livadhet afër shtëpisë! 

Heronjtë e korrupsionit nuk janë pasuruar vetëm në mënyrat e sipërpërshkruara shkurtimisht vetëm mbasi janë bërë të pushtetshëm. një numër i tyre janë pasuruar edhe para se të pushtetoheshin dhe janë pasuruar kështu, para se të pushtetoheshin, duke keqpërdorur, e thënë shkurt shqip, duke vjedhur e plaçkitur, ata që e kishin këtë mundësi, tre përqindëshin e “qeverisur” prej ministrit të financave në Qeverinë e Bujar Bukoshit – ata të Lidhjes demokratike të Kosovës dhe fondin Vendlindja thërret – ata të udhëheqjeve të mëvonshme të partive politike të krijuara prej pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe FARK-ut! 

Megjithëse janë krijuar disa struktura që kanë për detyrë të hulumtojnë korrupsionin, janë krijuar prej pushtetit apo janë vetëkrijuar, farë rezultatesh deri tani ato nuk kanë dhënë dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të japin. Në sajë të “hulumtimeve” të tyre janë ndëshkuar për korrupsion disa mësues, disaprofesorë, disa mjekë, ndonjë laborant, ndonjë ndihmësmjek, ndonjë nëpunës i vogël, por asnjë zyrtar i lartë! As anëtarët e këtyre organeve, as prokurorët, as gjykatësit nuk i lejojnë vetes të merren me heronjtë e korrupsionit! 

Pse nuk i lejojnë vetes të merren me ta? Përgjigjja më e shpeshtë që dëgjohet në opinion është: sorra sorrës nuk ia nxjerrë sytë! Nuk është kjo e gjithë përgjigjja, thonë disa të tjerë. Anëtarët e atyre këshillave, ata prokurorë e gjyqtarë, të zgjedhur edhe ata nga vija partiake, nuk merrem me hulumtimin e pasurisë së heronjve të korrupsionit sepse e dinë se çka do të mund t’u ndodhë mandej, mbas hulumtimit të këtillë! 

Siç mund të shohim dhe siç mund të dëgjojmë në televizione dhe siç mund të lexojmë në disa gazeta, korrupsioni është fjalë që e përdorin shumë shpesh edhe heronjtë e korrupsionit. duke e përdorur aq shpesh këtë fjalë të mallkuar ata duan t’i krijojnë bindjen opinionit: e para, se sa shumë u vjen keq pse në Kosovë ka korrupsion dhe, e dyta, se sa shumë janë duke e luftuar korrupsionin – me fjalë, që vetë e kanë bërë sistem! 

Por, siç dihet, korrupsioni nuk luftohet me fjalë. Sikur korrupsioni të parandalohej, të pakësohej, të mënjanohej, të zhdukej me fjalë, me fjalë të qytetarëve më shumë se të pushtetarëve, atëherë Kosova dhe Shqipëria do të bëheshin shembulli më i shkëlqimtë prej të cilit do të mësonin vendet e tjera se si, me çka, në çfarë mënyrash, mund të çliroheshin prej kësaj të keqeje, që është bërë sëmundje e veçantë, e madhe, e vendeve të prapambetura në Ballkan, në Afrikë, në Azi dhe në Amerikën Latine. Kosova dhe Shqipëria nuk mund të bëhen shembull i tillë i luftës së suksesshme ndaj korrupsionit sepse, siç u tha, korrupsioni këtu është ngritur në sistem. 

Sikur korrupsioni në Kosovë dhe në Shqipëri të mos ishte ngritur në sistem, sikur këtu disa trajta të korrupsionit të mos ishin legalizuar, sikur korrupsioni këtu diku-diku të mos mbulohej me ligje e vendime, kurse gjithkund me heshtje zyrtare, nuk do të ndodhte që Kuvendi i Kosovës, fjala vjen, ta dëgjojë i heshtur, pa reaguar fare, edhe pse është financues i drejtpërdrejtë i saj, informatën e paraqitur në mbledhjen e tij, se në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, më saktë të thuhet në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Preshevës, prej gjithsej njëzet e katër anëtarëve korrespondentë dhe të rregullt, dymbëdhjetë janë udhëheqës kryesorë të një partie –të Lidhjes demokratike të Kosovës dhe të partisë satelite e saj – të Partisë Fshatare të Kosovës, të futur në Akademi në kohën e dhunës e të terrorit të regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë – disa prej tyre, kurse disa të tjerë – menjëherë pas luftës. Domethënë: si ata liderë (prijës) të Lidhjes demokratike të Kosovës ashtu edhe ata liderë (prijës) të Partisë Fshatare të Kosovës, pavarësisht a janë futur në Akademi në kohën e dhunës e të terrorit të Sllobës, Sllobodanit, a në kohën e sundimit të LDK-së ata janë bërë akademikë në bazë të konfliktit të interesit, kurse para luftës, në kohën e Millosheviqit, janë bërë akademikë edhe më turpshëm! 

Sikur korrupsioni të mos ishte bërë sistem në Kosovë nuk do të mbetej pa e dënuar, rëndë, njëri prej ishëve, njëri prej ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, i cili aq shumë e kishte stolisur me korrupsion kryetarllëkun e tij. institucioni i quajtur Auditori gjeneral do ta konstatojë në të ashtuquajturin draft- raportin e tij në vitin 2005 se ky kryetar i Kuvendit të Kosovës, me mjete të Kuvendit të Kosovës, kishte bërë ç’ka s’kishte bërë: kishte ndrequr dhëmbët e vet, kishte blerë syze, kishte paguar kaftjalle, dreka, darka e argëtime në restorante të ndryshme të Kosovës, kishte blerë dy gjeneratorë të mëdhenj – njërin për shtëpinë e tij në Prishtinë, kurse tjetrin për vilën e tij në Brezovicë, kishte paguar servisimet e këtyre gjeneratorëve, u kishte blerë rroba pjesëtarëve të stafit të tij personal, u kishte blerë rroba pjesëtarëve të stafit të Kuvendit, u kishte blerë veshje dhe mbathje sportive grave të stafit administrativ! Ky i ashtuquajturi Auditor gjeneral e paraqet në atë draft-raportin e tij edhe korrupsionin e këtij kryetari të Kuvendit të Kosovës e të personelit të tij në blerjen e veturës së blinduar, misteri blerës i së cilës nuk është sqaruar plotësisht kurrë, edhe në tenderimet e ndryshme për ndërtimin e Vilës “madhështore” në Gërmi, në të cilën, si shpresohej, do të çlodheshin e do të zbaviteshin përfaqësuesit më të lartë të Presidencës, të Kuvendit, të Qeverisë, të ministrive, të Prokurorisë, të Gjykatave, të Policisë, të Sigurimit e të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, që edhe më tej po funksiononte si të ishte Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Preshevës!!! 

Sikur korrupsioni të mos ishte bërë sistem, sikur institucionet politike e shtetërore të Kosovës të donin ta luftonin korrupsionin, atëherë hapi i parë i bërë në këtë luftë kundër sëmundjes më të rëndë, më infektuese dhe më komprometuese të shtetit të Kosovës do të ishte nacioalizimi i shtëpisë së ish kryetarit të Lidhjes demokratike të Kosovës dhe “president” i Kosovës nën dhunën dhe terrorin e regjimit të Sllobës, Sllobodan Millosheviqit, Ibrahim Rugovës – nacionalizimi i kësaj shtëpie prej shumë qindra metra katrorësh, të blerë e të rishtuar me dinarët dhe markat e zhvatura prej fukarenjve shqiptarë në Kosovë apo të ikur në Evropë! Por, jo, të korruptuarit nuk do ta nacionalizojnë shtëpinë e bërë me korrupsion të prijatarit të korrupsionit në Kosovë, për korrupsionin e të cilit një diplomat amerikan do të thotë se mund të mësohet sa duhet sidomos në Uashington. 

Por jo, jo, pallatin e madh të Ibrahim Rugovës të ndërtuar e të rishtuar me korrupsion të madh, nuk do ta nacionalizojnë pushtetarët e korruptuar dhe nuk do ta nacionalizojnë sepse mandej do të detyroheshin t’i nacionalizonin të gjitha pronat e patundshme të vetes dhe të tjerëve të krijuara ashtu, me korrupsion të madh. 

Sikur korrupsioni të mos ishte bërë sistem nuk do të ndodhte që ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës të shkonte në tetor të vitit 2016 në fakultetin filologjik ku edhe është pedagog e të kërkojë prej Këshillit Mësimor që ta propozojë kandidat për anëtar të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, thuajse s’kishte dëgjuar kurrë se privilegjet e sendërtuara në bazë të konfliktit të interesit përbëjnë korrupsion të rëndë në çdo vend demokratik përpos në këtë demokracinë tonë totalitare që zbatohet si demokraci skllavopronare! 

Sikur korrupsioni të mos ishte bërë sistem në Kosovë e në Shqipëri nuk do të ndodhte që shumica e qytetarëve të dinë se cilët janë të korruptuarit e posteve të larta politike e shtetërore e këtë të mos e dinë dhe të mos marrin masa kundër tij ata që janë caktuar për ta ditur dhe ata që janë caktuar për të marrë masa kundër tij! 

Peshqit e mëdhenj, ndërkaq, janë të pakapshëm në ujërat e turbullta të korrupsionit-sistem. Si të mos jenë? Po ata janë të mbrojtur jo vetëm prej organeve të tyre, por edhe prej pushtetit të tretë – gjyqësor. Kështu, fjala vjen, para afër dy vjetësh, kur flitej për pasuritë, firmat, fermat dhe “aksionaritë” e kryeministrit të sotëm të Kosovës, një prokuror, i lartë, nuk më kujtohet vetëm i kryeqytetit apo i krejt Kosovës, doli në televizion e tha: “është e vërtetë se janë të dyshimtë disa ministra dhe zëvendësministra, por nuk është i dyshimtë kryeministri!” Kur e dëgjova këtë deklaratë të këtij prokurori m’u kujtuan prokurorët në ish Jugosllavinë, prandaj edhe në ish-Kosovën socialiste vetëqeverisëse, në të vërtet neostaliniste, kur ata, prokurorët, na tregonin se sa të ndëshkueshëm ishin studentët e të gjithë të rinjtë që merrnin pjesë në demonstratat kundër dhunës e terrorit të regjimit të Millosheviqit e se sa të merituar ishin zyrtarët që çonin policinë kundër tyre dhe intelektualët që i dënonin si armiqësore dhe kontrarevolucionare kërkesat e tyre për Kosovën Republikë. 

Si, atëherë, mund të luftohet korrupsioni? 

Si të gjitha të këqijat e tjera politike e shoqërore, ashtu edhe e keqja e quajtur korrupsion mund të luftohet, mund të pakësohet, mund të parandalohet në qoftë se nuk mund të zhduket plotësisht, njëherë e përgjithmonë, në një mënyrë të provuar në disa vende të tjera jo vetëm në kontinentin evropian dhe kjo mënyrë quhet hulumtim i pasurisë së të pasuruarve lehtë e shpejt për një vit apo për disa vjet. E para, do të duhej të miratohej ligj,ligj përkatës për hulumtimin e prejardhjes së pasurisë. E dyta, do të duhej të krijohej institucion përkatës për atë hulumtim të pasurisë, që e bën të mundshëm miratimi i ligjit në fjalë. E treta, pasuria e krijuar në mënyra të paligjshme, fshehurazi, mistershëm, me mjete të palejueshme, në mënyra që quhen korruptive, duhet të shpallet e paligjshme dhe të nacionalizohet. E katërta, të pasuruarit në atë mënyrë, të cilëve u nacionalizohet pasuria, duhet të dënohen prej gjykatës përkatëse. 

Nuk ka dyshim se në këtë mënyrë do të krijoheshin pengesat ligjore dhe morale që njerëzit, të cilët shkelin Kushtetutë e ligj, skrupuj e moral shoqëror, të pasurohen lehtë e shpejt, me mjete të palejuara, në mënyra korruptive. 

Por, që të krijohen bazat ligjore për luftën kundër korrupsionit, shteti duhet të jetë shtet i së drejtës, çka, mjerisht, njëqind e një herë mjerisht, nuk është ende Kosova. 

Ne qytetarët, ne, sovrani, jemi fajtorë, pse korrupsioni në Kosovë dhe në Shqipëri është e keqe aq e përshtrirë, aq e madhe aq sa zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian e kanë quajtur korrupsion pandemik. 

Siç dihet, siç flitet e siç shkruhet qindra vjet në Evropë, vlerat e së cilës aq shpesh i theksojmë, qytetarët e jo institucionet shtetërore janë bartës burimorë të sovranitetit. Për këtë arsye kur institucionet veprojnë keq dhe korruptohen apo nuk veprojnë si duhet dhe e lejojnë korrupsionin, qytetarët duhet të reagojnë, të reagojnë duke kërkuar të çlirohen shoqëria e shteti prej tyre: prej përfaqësuesve të korruptuar të këtyre institucioneve të korruptuara. 

Kot flitet për korrupsionin, kot quhet pandemik, kot harxhohen fjalë për luftën kundër korrupsionit në qoftë se nuk krijohet ligj dhe nuk krijohen kushte për hulumtimin e pasurive të pushtetarëve më të lartë politikë e shtetërorë dhe në qoftë se pasuria e krijuar me korrupsion duke u shfrytëzuar pozitat politike e shtetërore nuk sekuestrohet.

Marrë nga libri “Pushteti i korruptuar-protagonistët dhe viktimat”. 2016

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjensioni “Edonisi Tours” i cili udhëton nga Gjakova për Prishtinë…