KOSID publikon analizën ligjore mbi hidrocentralet në Kosovë “Shkeljet ligjore, që po shterin lumenj”

01 dhjetor 2020 | 13:26

KOSID ka publikuar analizën ligjore 51 faqe të quajtur “Shkeljet ligjore, që po shterin lumenj”.

Ky hulumtim adreson shkeljet ligjore që janë bërë me ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna” në periudhën e pasluftës, raporton “Epoka e re”.

Analiza ligjore në të cilën është punuar pesë muajt e fundit, konfirmon përgjegjësinë e institucioneve të Kosovës, ZRRE-në dhe Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, si dhe dy kompanitë kryesore “Matkos Group” Sh.P.K dhe KelKos Energy” Sh.P.K. për këto veprime joligjore dhe shkatërruese ndaj ambientit të Kosovës.

“Për pasojë të politikave të gabuara mjedisore nga institucionet e Kosovës, ku këto dy kompani kanë pasur përfitime jolegjitime ekonomike duke përdorur resurset ujore të cilat janë publike, si dhe kanë ndërhyrë me punime në pronat private të banorëve të atyre anëve pa lejen e tyre dhe jashtë normave dhe kritereve te lejuara me ligj”, është theksuar në komunikatën e KOSID.

Disa nga shkeljet të cilat hulumtimi i KOSID-it ka arritur t’i identifikojë, janë shkelje të ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës: Mospërfshirja e komunitetit në debate, konsultime e njoftime publike me rastin e shqyrtimit të dokumenteve mbështetëse për lejimin e ndërtimit të hidrocentraleve; Mosinformimi me kohë, apo pengimi në qasje për informacion për pjesëmarrje në konsultime publike të komunitetit, si dhe pengim në qasje në dokumente publike; Mospërfshirje e komenteve, vërejtjeve dhe kërkesave për përmirësim të kritereve dhe kushteve me rastin e lëshimit të akteve juridike (pëlqim, leje, licenca, etj) për ndërtimin e HC, nga institucionet publike; Mospërshkrimi i drejtë i gjendjes reale të resurseve ujore dhe kushteve mjedisore me rastin e ndërtimit të HC-ve, si dhe ndikimi i tyre në ndotjen, degradimin, shkatërrimin apo shterimin e resurseve ujore, si dhe dëmtimin e mjedisit (florës dhe faunës), natyrës, me rastin e përpilimit të raportit të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis; Mosrespektimin e legjislacionit në fuqi me rastin e ndërtimit të HC, e posaçërisht atë të parqeve kombëtare dhe zonave të veçanta të mbrojtura, etj.

KOSID ka theksuar se ky hulumtim synon të jetë në shërbim të komunitetit dhe palëve të interesit të cilët mund t’i përdorin të gjeturat e këtij për të parandaluar keqpërdorimin e resurseve ujore, mbrojtjen e mjedisit dhe florës dhe faunës, për të pajisur grupet e avokimit dhe banorët në luftën e tyre në mbrojtjen e interesit të tyre përmes institucioneve përgjegjëse, organeve të drejtësisë dhe gjykatave në Kosovë.

Po ashtu KOSID ka njoftuar se ka ndjekur çështjet lidhur me ndërtimin e hidrocentraleve për një kohë të gjatë dhe ka avokuar nëpërmjet debateve televizive, shkresave publike, takimeve me komunitetin e prekur direkt duke shërbyer si urë lidhëse mes komunitetit dhe institucioneve të Kosovës në mënyrë që të thirren në përgjegjësi ata që janë përgjegjës për degradimin e natyrës dhe abuzimit me resurse ujore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vëllai i Adem dhe Hamëz Jashari, Rafati sot feston ditëlindje…