Kosnett: Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim tregtar ndërmjet komuniteteve
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Philip Kosnett, ka vizituar Komunën e Graçanicës dhe të Parteshit, që banohen me shumicë serbe.
Gjatë kësaj vizite, Kosnett është takuar me kryetarin e Graçanicës, Sërxhan Popoviq dhe atë të Parteshit, Dragan Petkoviq si dhe me përfaqësueset e Asociacionit të Grave në Biznes, një iniciativë multietnike që mbështetet nga USAID-i.
“Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim tregtar ndërmjet komuniteteve për të ndërtuar një të ardhme prosperuese për të gjithë”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e vet në “Twitter”.
Kjo është hera e dytë që brenda një periudhe të shkurtër ambasadori Kosnett viziton Graçanicën.
Më 28 mars, gjatë vizitës në këtë komunë, ambasadori Kosnett kishte bërë thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Përkitazi me Kosovën e Serbinë, së voni qeveria ime ka shpenzuar shumë kohë në përpjekje për ti bindur udhëheqësit e Kosovës për ta pezulluar taksën mbi mallrat serbe dhe për ti bindur Kosovën e Serbinë për t’ju kthyer dialogut. E di se procesi ka shkaktuar ankth për të ardhmen, por besojmë se është çasti i duhur për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimisht për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve”, kishte thënë ambasadori Kosnett. /Rel/