Kosnett: Respektimi i sundimit të ligjit kërkon njëtrajtshmëri

19 tetor 2020 | 14:54

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se shpesh herë zhgënjehet kur dëgjon për shpërputhjen në trajtim nga sistemi penal i Kosovës, raporton “Epoka e re”.

Në adresimin e tij në kuadër të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, ai ka theksuar se e kupton që jo të gjitha krimet dhe rrethanat janë të njëjta, por mungesa e parashikueshmërisë dhe njëtrajtshmërisë në raste, i dëmton proceset dhe sukseset në fushën e drejtësisë.

“Më lejoni të nënvizoj që respektimi i sundimit të ligjit kërkon njëtrajtshmëri të tillë dhe kjo veçanërisht është e vërtetë kur trajtohen të drejtat dhe nevojat e viktimave të krimit. Për këtë arsye, shpesh jam i zhgënjyer kur dëgjoj për shpërputhjen në trajtim nga sistemi penal i Kosovës”, ka thënë ai, duke treguar për rastet kur nuk respektohet kjo njëtrajtshmëri.

“Disa kryes të veprave mbahen në burg, e disa të tjerë lirohen. Disa viktima marrin ndihmë, e të tjerë lihen të kujdesen vet për vete. Disa të pandehur akuzohen për shkelje të rëndë, kurse të tjerët, që e kanë kryer veprën e njëjtë, përballen me akuzë shumë më të lehtë – disa përballen me dënime të rënda, kurse të tjerët paguajnë gjobë të papërfillshme. E kuptoj që jo të gjitha krimet dhe rrethanat janë të njëjta, por mungesa e parashikueshmërisë dhe njëtrajtshmërisë në këto raste i dëmton proceset dhe sukseset tuaja. Rrjedhimisht, e dëmton besimin e qytetarëve”, është shprehur ai.

Ai ka bërë thirrje që çdo rast të trajtohet me dinjitet. “Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve që të vazhdoni të punoni për të siguruar që çdo viktimë, çdo rrethanë, çdo ndjekje penale dhe çdo dënim,  të trajtohet me dinjitetin dhe rëndësinë e njëjtë. Sigurohuni që drejtësia të zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë”, ka thënë Kosnett.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në takimin e rregullt të Shtabit Emergjent Lokal, të udhëhequr…