Kosnetti: Ambasada amerikane po vëzhgon zgjedhjet me 30 ekipe
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philipp Kosnett, po vëzhgon nga afër procesin në disa vendvotime nëpër qendra të ndryshme në Kosovë.
Kosnetti ka thënë se Ambasada Amerikane në Kosovë ka më shumë se 30 ekipe vëzhguese monitoruese në terren.
“Ambasada amerikane ka më shumë se 30 ekipe në mbarë Kosovën, të cilat po vizitojnë vendvotimet. Unë personalisht do të vizitoj vendvotimet në Prishtinë, Prizren dhe Graçanicë”, ka thënë Kosnetti.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë po i përcjell nga afër edhe Bashkimi Evropian, OSBE dhe organizatat vendore.
Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan përmes rrjetit social “Twitter” ka bërë thirrje për dalje në votime.
“Në Kosovë si dhe në Amerikë, çdo votë numërohet. Secili zë ka rëndësi. Pa marrë parasysh pikëpamjet tuaja, këdo që mbështetni – më 6 tetor, dilni të votoni. Për veten, shtetin dhe të ardhmen”, kishte shkruar Kosnetti.