Kosnetti kërkon nga Haradinaj që 50 për qind e kabinetit qeveritar të jenë gra
Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), ka organizuar ngjarjen vjetore “Java e Grave”, ku është diskutuar për integritetin e proceseve politike në nivelin lokal.
Me këtë rast është theksuar se Kosova ka mangësi në angazhimin e grave në proceset vendimmarrëse dhe duhet angazhim më i madh që kjo të funksionalizohet.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se në Kosovë gjithmonë i është kushtuar avancimit të rolit të grave ku sipas tij janë larguar shumë tabu. Pavarësisht kësaj, Haradinaj ka thënë se sfidë mbetet bartja e trashëgimisë në pronë.
“Ideja e kuotës, në fillim e padrejtë, mirëpo tash është kthyer në normë e cila vazhdimisht po respektohet. Shpresoj që gjitha partitë politike të ruajnë rolin që femra të përfaqësohet”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se fuqizimi i grave nuk është vetëm punë e grave, por është përgjegjësi e të gjithëve.
Duke folur për rolin e grave në shoqërinë kosovare, diplomati amerikan, ka thënë se rreth 50 për qind e popullatës në Kosovë po pengohen në shoqëri, duke mos qenë pjesë e proceseve vendimmarrëse.
Ambasadori Kosnett ka kërkuar nga kryeministrit Haradinaj, që rreth 50 për qind të kabinetit të tij të jenë gra.
Në anën tjetër, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Donikë Dobruna, është shprehur e lumtur me angazhimin e saj në këtë institucion.