Kosnetti: Komuna e Vushtrrisë, shembull i luftës kundër korrupsionit
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, kanë bërë inaugurimin e zyrës së rinovuar të prokurimit në këtë komunë.
Renovimin e kësaj zyre e ka bërë USAID-i së bashku me Komunën e Vushtrrisë. Me këtë rast, ambasadori Kosnett ka theksuar se Komuna e Vushtrrisë duhet të shërbejë si model edhe për komunat tjera sa i përket transparencës dhe luftës kundër korrupsionit. “Komuna e Vushtrrisë është një shembull për të gjitha komunat e Kosovës, prandaj ne do të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë me këtë komunë edhe në të ardhmen. Janë pikërisht qytetarët ata që përfitojnë më së shumti kur ka një bashkëpunim të ngushtë mes komunës dhe shoqërisë civile, që është edhe çelësi i suksesit në Vushtrri”, ka thënë Kosnetti, i cili gjatë qëndrimit në Vushtrri ishte i shoqëruar edhe nga drejtoresha e USAID-it, Lisa Magno.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen që populli, ambasada e ShBA-së dhe USAID-i i kanë dhënë komunës së Vushtrrisë, me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në punën e saj.
/Epoka e re/