Kosnetti: Qeveria të veprojë shpejt për kontratën e homologimit të automjeteve
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të veprojë shpejt ndaj rezolutës së Kuvendit për çështjen e homologimit të automjeteve.
“Qeveria duhet të veprojë shpejt, pas rezolutës së Kuvendit dhe të hapë një proces të lirë dhe të konkurrencës së drejtë”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e vet në “Twitter”.
Ambasadori amerikan ka pohuar se ai ndanë shqetësimin sikurse Bashkimi Evropian, Kuvendi i Kosovës dhe Autoriteti i Konkurrencës për kontratën monopoliste për homologimin e automjeteve “që shtrembëron tregun dhe ngre çmimet për qytetarët”.
Me 62 vota për dhe dy abstenime, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar të hënën rezolutën për ndalimin e monopolit në homologim.
Rezoluta e prezantuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Zharku, kërkon shfuqizimin e udhëzimit administrativ të vitit 2018 dhe fillimin e plotësimndryshimit të Projektligjit për automjete.
Po ashtu, rezoluta kërkon që në afat prej dy muajve të miratohet udhëzimi i ri administrativ, ndërsa në afat prej gjashtë muajve të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve.
/Epoka e re/