Kosnetti takon ministrin Vitia, diskutojnë për koronavirusin
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett.
Në këtë takim, ministri Vitia e njoftoi ambasadorin amerikan lidhur me masat e ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë për menaxhimin e situatës epidemiologjike në Kosovë lidhur me koronavirusin Covid -19.
Gjithashtu, e njoftoi për masat e reja shtesë të cilat qeveria pritet t’i ndërmarrë në funksion të parandalimit të përhapjes së Covid-19 në Kosovë.
Ministri Vitia e falënderoi ambasadën e SHBA-së në Kosovë për mbështetjen e vazhduar në këtë situatë të ndjeshme në të cilën ndodhet vendi ynë si dhe vendet e tjera të cilat po ballafaqohen me këtë virus.
Nga ana e tij, ambasadori Kosnett uroi profesionistët shëndetësorë të Kosovës për guximin dhe efikasitetin, nënvizoi rëndësinë e asaj që publiku të ndjekë udhëzimet nga Ministria për mbrojtjen e familjeve dhe bashkësive, dhe foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në tejkalimin e sfidës së Covid-19.
/Epoka e re/