Kosnetti: Taksa paraqet shenjë të madhe të mospajtimit mes ShBA-së dhe Kosovës
Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka folur gjatë në një intervistë për portalin “RajoniPress”.
Kosnett ka folur për taksën dhe mospajtimet në këtë raport me Qeverinë e Kosovës, për dialogun me Serbinë, për zyrtarët me aktakuza të ngritura dhe lufta kundër krimit të organizuar, për liberalizimin e vizave dhe për porosinë e tij që kosovarët të jenë optimist.
RajoniPress: Zoti ambasador sfida më e madhe e qeverisjeve lokale mbetet kyçja e zyrtarëve që kanë aktakuza të ngritura. Ju e keni bërë me dije me kohë se kjo çështje është pengesë serioze që Kosova të ecë tutje. Si duhet të veprojnë komunat ndaj atyre drejtorëve ose zyrtarëve që kanë aktakuza të ngritura për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare?
Philip Kosnett: Ma merr mendja që tashmë e dini që kam qen tepër i zëshëm se sa është me rëndësi që atyre njerëzve që u mungojnë kualifikimet e nevojshme, të dënuar për krime të ndryshme apo ata që kanë aktakuza do të duhej që të largohen nga pozitat zyrtare. A do të dorëhiqen apo shkarkohen kjo nuk është shumë me rëndësi, por e kam bërë të ditur tërë kohën se këta njerëz nuk do të duhej të ishin pjesë e pozitave qeveritare. Dhe kur e them këtë nuk është se e mbështesë apo e kritikojë ndonjë parti të caktuar politike, por një politikë e tillë do të duhej të ishte pjesë e çdo partie politike qoftë nga opozita apo qeverisja. Mendoj se deklarata e Veselit ishte e mirëseardhur dhe konsiderojmë që është lëvizje pozitive dhe do e vëzhgojmë nëse do të zbatohet në plotëni. Të njëjtën kohë kjo do të ishte edhe thirrje edhe për partitë tjera politike për atë që ka bërë PDK-ja.
Më lejoni të shtojë diçka, nuk mendoj se çdokush që është i akuzuar është fajtor, apo të gjithë ata që janë të dënuar janë njerëz të ligë dhe nuk kanë bërë asnjëherë diçka të mirë, por duke qen në një pozitë politike, kjo po ndikon negativisht në vend dhe po krijon shpërqendrim tek të tjerët. Mendoj se kosovarët kanë të drejtë të kenë prijësit e tyre të pa korruptuar dhe pa aktakuza.
RajoniPress: Kosova tani ndodhet në një situatë shumë delikate. Të fillojë dialogun, të vendos për idenë e Thaçit rreth ndryshimit të kufijve ose të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Cilën prej këtyre opsioneve do ta mbështesni ju personalisht?
Philip Kosnett: Së pari për dialogun pozicioni i Qeverisë amerikane është që dialogu është i nevojshëm që të krijojë paqe, drejtësi dhe prosperitet për qytetarët e vendit, prandaj fuqimisht e mbështesim kthimin e shpejt në dialog. Ne besojmë se të dyja qeveritë, ajo e Prishtinës dhe e Beogradit duhet të ndërmarrin hapa dhe t’i qasen dialogut në mënyrë kreative si dhe në të drejtën e kompromiseve dhe të ndërmarrin hapa që ndoshta nuk janë të popullarizuar për asnjërin vend.
Pra ne mendojmë që nga pala kosovare do të duhej të kishte një pezullim të përkohshëm të taksës si hap i parë për rikthimin e dialogut, por të njëjtën kohë kërkojmë që edhe Beogradi të ndërmerr hapa për fillimin e procesit sërish. Dua të them që është mendim i qeverisë amerikane që negociatorët e të dyja palëve duhet të kenë liri që të vendosin vetë për çfarë duan të flasin. Kur Qeveria amerikane tha vitin e kaluar se nuk do të kundërshtonim bisedën për rregullimin e kufirit, nuk thamë se e parapëlqejmë rregullimin e kufirit, por vetëm po themi që negociatorët duhet të jenë të lirë të bisedojnë për atë që duan.
Sa i përket zgjedhjeve unë gjithmonë do të flas lidhur me politikat që Kosova duhet të zbatojë, por asnjëherë nuk do të flas lidhur me atë se cila parti duhet të vijë në pushtet. Mendoj se Kosova është vend demokratik dhe nuk më takon mua si i huaj të vendos lidhur me këtë çështje, u takon kosovarëve që ti përdorin të gjitha proceset ligjore dhe kushtetuese për të vendosur se kush duhet të udhëheq vendin.
RajoniPress: Sa është e përgjegjshme Qeveria Haradinaj ndaj çështjeve kapitale dhe a është treguar serioze sa duhet në raportim me faktorin ndërkombëtar. Haradinaj shpesh ka treguar këmbëngulje dhe nuk ka lëshuar pe edhe kur ka qen në pyetje ndonjë kërkesë serioze e SHBA-së?
Philip Kosnett: Mendoj se miqësia e Kosovës me SHBA është e fort si guri dhe askush nuk duhet të dyshojë në këtë miqësi. Në të njëjtën kohë është e natyrshme që të dy qeveritë tona të kenë mospajtime ndonjëherë lidhur me ndonjë çështje politike, por kjo nuk do të thotë se miqësia jonë është në krizë. Prapë po e them se jo vetëm në interes të Amerikës, por është edhe në interes të Kosovës është që taksa të hiqet përkohësisht, që të fillojë procesi prapë i dialogut. Më lejoni të them se në këtë drejtim kemi mospajtime me Ramush Haradinajn dhe nuk është vetëm ai nga politikanët që është në favor të takës, të mos e personalizojmë çështjen. Mendimi jonë është që Kosova ta suspendojë taksën që ta sjell Serbinë në tavolinën e dialogut përsëri dhe kur kjo të rifillojë shpresojmë se do të ketë entuziazëm më të madh ndërmjet dy qeverive dhe popujve të cilët duhet të shohin të gjitha përfitimet që procesi i dialogut dhe normalizimi i marrëdhënieve do t’i sjellë. Mendojmë se dialogu është përfitim i Kosovës, i Serbisë, por edhe i SHBA-së, dhe për këtë arsye ne shqetësohemi lidhur me këtë çështje. Kjo edhe është arsyeja që mendojmë se taksa paraqet një shenjë të madhe të mospajtimit sa i përket qeverisë kosovare dhe administratës së SHBA-ve, por kjo nuk nënkupton që miqësia është në krizë. Nganjëherë njerëzit më pyesin e pse duhet të ndodhë dialogu dhe unë u them se përmirësimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi do ta mundësojë një të ardhme më të mirë ekonomike për Kosovën dhe do të sjell drejtësinë, por edhe në përgjithësi do të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet vet popullit të Kosovës, sepse nëse nuk ka vazhdim të dialogut do të shohim më pak zhvillim në të gjitha këto çështje.
RajoniPress: A është e gatshme Kosova të hyjë në negociata serioze me Serbinë, pa u zgjidhur fati i të pagjeturve,pa u ndëshkuar krimet serbe dhe pa u ndryshuar qasja e Vuqiqit ndaj problemit të Kosovës?
Philip Kosnett: Mendoj se njerëzit duhet të ulen përballë njëri tjetrit dhe të diskutojnë për të gjitha këto çështje. Gjithashtu i takon edhe shoqërisë civile në adresimin e të gjitha këtyre çështjeve sepse fundja shoqëria civile është më e madhe sesa vet Qeveria në këtë aspekt.
RajoniPress: Zoti ambasador t`i kthehemi edhe njëherë korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel vendi. Në Kosovë nganjëherë kemi një klimë të çoroditur, sepse për korrupsionin flasin ata që vetë kanë aktakuza, ndërsa për krimin flasin ata që janë vet pjesë e krimit. Cili do të ishte mesazhi i juaj për këtë kategori të politikanëve, deputetëve dhe strukturave qeveritare?
Philip Kosnett: Do të thosha që ironitë janë shumë të qarta dhe është në dorën e kosovarëve të kërkojë sinqeritet dhe lidership, qoftë nga ata që janë në Kuvend, por edhe nga Qeveria. Për ta përmbushur demokracinë në Kosovë nuk duhet njerëzit vetëm të ulen dhe të shikojnë, ky nuk është sport i tillë sepse për ta mundësuar një demokraci të vërtetë njerëzit duhet të reagojnë dhe punojnë për të.