Kosova A dhe U19 mbyllin grumbullimet me ndeshjen testuese
Kombëtarja e Kosovës A dhe Kombëtarja U19 për vajza përfunduan sot grumbullimin katërditor të këtij muaji me një ndeshje testuese.
Në këtë ballafaqim, përzgjedhësit Sami Sermaxhaj dhe Albina Rrahmani patën mundësinë të vlerësojnë formën e lojtareve dhe të bëjnë përgatitjet e duhura për sfidat e ardhshme. Grumbullimi i këtij muaji dhe ndeshja e sotme i dha përzgjedhësit të ri të Kombëtares A, Sami Sermaxhaj, një pasqyrë të gjendjes fizike dhe teknike të lojtareve para pjesëmarrjes në turneun ndërkombëtar në Egjipt, që zhvillohet muajin e ardhshëm.
Ndërkohë, edhe për përzgjedhësen e Kombëtares U19, Albina Rrahmani, kjo ndeshje testuese shërbeu për ta parë gjendjen e ekipit përballë një kundërshtari të nivelit më të lartë, duke pasur parasysh faktin që në muajin e ardhshëm e presin duelet e vështira kundër Gjermanisë, Danimarkës dhe Greqisë në turneun kualifikues për Kampionatin Evropian U19 të vitit 2025. Ashtu siç pritej, Kombëtarja A realizoi fitore (5:0), por rezultati në këtë ndeshje nuk ishte aspak i rëndësishëm, pasi kjo testuese u shfrytëzua nga të dy përzgjedhësit për të vlerësuar lojën dhe bashkëpunimin mes reparteve dhe përshtatjen e tyre me strategjinë e lojës për sfidat e nëntorit.
Lojtaret e të dyja ekipeve treguan angazhim maksimal gjatë tërë ndeshjes, duke dëshmuar një disiplinë të lartë dhe përkushtim në fushë, gjë që u vlerësua lart nga të dy trajnerët.
Deklaruan pas ndeshjes:
Sami Sermaxhaj, përzgjedhës i Kombëtares A: “Përmes seancave stërvitore trajneri sheh shumë gjëra por kryesoret i sheh përmes lojës, prandaj e bëmë një ndeshje testuese me U19 për të parë edhe se cilat janë futbolliste perspektive dhe mendoj se shumë shpejt disa do të jenë te A-ja, sepse ka prej tyre që e kanë zhvillimin e mjaftueshëm për me qenë konkurrente te A-ja, prandaj në këtë kontekst besoj se kjo ndeshje ia ka vlejtur. Në disa pozicione kemi nevojë për lojtare të reja, prandaj besoj se pas kualifikimeve në Gjermani, disa nga to do të ftohen në Kombëtaren A”.
Albina Rrahmani, përzgjedhëse e Kombëtares U19: “Një test shumë i mirë për komplet ekipin tonë. Kemi parë shumë gjëra të mira dhe të gjitha ato të cilat i kemi stërvitur dhe i kemi kërkuar nga vajzat ato kanë tentuar t’i implementojnë në lojë dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Besoj se tani kemi një pasqyrë të mirë për ndeshjet kualifikuese të nëntorit”.
Erëleta Memeti, kapitene e Kombëtares A: “Ka qenë hera e parë që i kam parë në fushë futbollistet e U19 dhe e kam parë mënyrën se si luajnë ato. Ka qenë një eksperiencë e mirë për ne, por edhe për ato, pasi në të ardhmen do të luajnë me kundërshtarë të cilët kanë më shumë eksperiencë dhe janë kundërshtarë më të fortë. Po ashtu, edhe për ne ishte mundësi e mirë që ta njohim edhe më shumë trajnerin e ri dhe idenë e tij të lojës”.
Bardha Mahmuti, kapitene e Kombëtares U19: “Jemi mbledhur tash e 5 ditë. Sot ishte dita e fundit dhe të gjitha stërvitjet kanë shkuar shumë mirë, ka pasur edhe vajza të reja të cilat kanë ardhur në ekip. Besoj se kemi funksionuar mirë. Edhe pse nuk ishte rezultati i mirë, ky ishte një test i mirë për ne për kualifikimet e nëntorit. Po ashtu ishte më e lehtë edhe për trajneren që të bëjë përzgjedhjen e ekipit”.