Kosova akrediton ambasadorin e saj në Çad
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Senegal, Ramadan Gashi, i ka dorëzuar letrat kredenciale tek Presidenti i Republikës së Çadit, Idriss Deby Itno, duke u bërë si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Republikën e Çadit, me rezidencë në Dakar, Senegal.
Në këtë vizitë, ambasadori Gashi është shoqëruar nga drejtori për Çështje Politike, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Lulzim Mjeku.
Delegacioni i Republikës së Kosovës, gjatë qëndrimit në kryeqytetin Nxhamena, është pritur edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Mahamat Zeni Cherif dhe drejtori i Protokollit të Shtetit, Ossodongarti Memdingangar.
Me këtë rast, ambasadori Gashi i dorëzoi kopjet e letrave kredenciale ministrit Mahamat Zeni Cherif dhe i përcolli mesazhet e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Të dy palët bashkëbiseduese prekën tema me interes të përbashkët për dy shtetet.
/Epoka e re/