Kosova anëtarësohet në Komitetin Ndërkombëtar për regjistrimin e kafshëve
Kosova është bërë anëtare e Komitetit Ndërkombëtar për Regjistrimin e Kafshëve (ICAR), organizatë kjo Joqeveritare Ndërkombëtare, e cila stimulon prodhimin e kafshëve në të gjithë globin në mënyrë më të qëndrueshme dhe më efikase. Anëtarësimi i Kosovës në ICAR, është bërë falë angazhimit të vazhdueshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ). Kosova në këtë komitet do të përfaqësohet nga MBPZhR-ja.
Me anëtarësimin në këtë komitet, Kosova do të përfitojë shumë sa i përket zhvillimit sipas standardeve të sektorit të blegtorisë. “Nga tash, Republika e Kosovës do të ketë bashkëpunim në arritjen dhe zbatimin e rregullave dhe standardeve për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve riprodhuese, bashkëpunim me qëllim të harmonizimit të metodave për standardet e analizave të prodhimtarisë, bashkëpunimi në fushat që kanë të bëjnë me regjistrimin dhe vlerësimin e performancës së kafshëve, në standardizimin e Regjistrave të kafshëve sipas standardeve të ICAR me qëllim të vlerësimit të vlerës së kafshëve dhe sistemeve të menaxhimit të fermës”, thuhet nënjoftimin e MBPZhR.
Sipas këtij njoftimi, krahas këtyre përfitimeve, Kosova me këtë anëtarësim do të ketë edhe standardet dhe praktikat e mira për përdorimin e të dhënave të Regjistrimit të performancës me qëllim të vlerësimit të vlerës gjenetike të kafshëve.
Ndryshe, ICAR-i përbëhet nga 117 anëtarë nga 59 vende të ndryshme të botës dhe ky komitet me udhëzime dhe shërbime, ndihmon krijimin e sistemeve të prodhimit të kafshëve të bazuara në cilësi në të gjithë botën.
/Epoka e re/