Kosova anëtarësohet në nëngrupin verior të rajonit të Evropës në Organizatën Botërore të Doganave
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar qytetarët se Kosova ka arritur të anëtarësohet në nëngrupin verior të Rajonit të Evropës në Organizatën Botërore të Doganave (OBD).
Ndonëse Kosova është anëtarësuar në Organizatën Botërore të Doganave në vitin 2017, deri më tani nuk ka pasur mundësi të përfaqësohet në rajon gjeografik dhe rrjedhimisht nuk ka marrë pjesë në proceset e politikëbërjes, si një nga qëllimet kryesore të OBD-së.
Përfaqësimi i Kosovës në grupin e rajonit gjeografik është tejet i rëndësishëm për arsye se pikërisht trupat rajonalë të OBD-së janë të përfshirë në dizajnimin dhe zbatimin e politikave si dhe në promovimin e tregtisë dhe zhvillimit.
Pjesëmarrja e Kosovës në nivelin politikëbërës të OBD-së e fuqizon atë në nivelin ndërkombëtar duke rritur bashkëpunimin me vendet anëtare të OBD-së.