Kosova arrin progres në fushën e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mbajtur dje takimi për prezantimin e udhërrëfyesit për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për posedimin e paligjshëm, keqpërdorimin dhe trafikimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) në Ballkanin Perëndimor brenda vitit 2025.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë se Kosova gjatë dhjetë vjetëve të fundit ka arritur progres në fushën e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta.
Sipas tij, që nga viti 2008 është duke u implementuar strategjia dhe plani i veprimit për armët e vogla dhe të lehta.
Zeka ka thënë se, bazuar në deklaratën e përbashkët nga takimi i mbajtur në Podgoricë për angazhimin për luftimin e trafikimit të paligjshëm të armëve dhe municionit në Ballkanin Perëndimor, Republika e Kosovës ka bërë prioritet implementimin e këtyre obligimeve.
“Është krijuar një grup i punës për harmonizim të mëtejshëm të bazës ligjore nacionale për armë me BE-në. Kosova është shembulli i parë në rajon për përmbushje të planit të përbashkët të veprimit në mes të vendeve të BE-së dhe Evropës Juglindore 2015-2019. Kosova ka themeluar pikën kombëtare për armë, e cila është vendosur në Policinë e Kosovës dhe janë ndërmarrë një sërë nismash të tjera”, ka thënë zëvendësministri Zeka.
Zëvendësministri Zeka, i cili është edhe koordinator kombëtar i Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL), vuri në dukje se, përveç rezultateve të përmendura, janë edhe shumë sfida dhe probleme të natyrave të ndryshme.
Ai ka thënë se një nga sfidat kryesore në luftën e përbashkët dhe bashkëpunimin ndërkombëtar është edhe mosanëtarësimi i plotë i Kosovës në INTERPOL, EUROPOL, SELEC etj.
/Epoka e re/