Kosova barazon ndaj Shqipërisë
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka nisur me barazim fushatën kualifikuese për Kampionatin Botëror “Australi-Zelandë e Re 2023”.
Dardanet, të enjten, në stadiumin “Elbasan Arena” e kanë mbyllur përballjen me Kombëtaren e Shqipërisë, me rezultat 1:1. Ndonëse të dyja ekipet e dëshiruan dhe u angazhuan për fitore, në fund u detyruan të kënaqen me nga një pikë.
Emocionet e përballjes së të dyja ekipeve të të njëjtit gjak ishin evidente dhe kjo u shfaq që nga intonimi i himneve por edhe në lojë, duke pasur parasysh se shumë lojtare nga Kosova luajnë në ekipin kombëtar të Shqipërisë. Të parat në epërsi kaluan futbollistet kuqezi, me golin e Megi Doçit nga penalltia, në minutën e 43-të.
Ndërkaq, shifrat i barazoi e rikthyera te Kombëtarja e Kosovës, Valentina Limani, në minutën e 72-të pas asistimit të kapitenes Erëleta Memeti. Përzgjedhësja Afërdita Fazlija pas ndeshjes theksoi se në bazë të asaj se si rrodhi ndeshja, atëherë barazimi mund të jetë rezultat i pranueshëm, edhe pse në këtë duel kishin udhëtuar për 3 pikët.
Ajo po ashtu e pranoi faktin se ndikim të madh pati edhe ngarkesa emocionale e lojtareve, duke ditur se përballeshin me Shqipërinë. Ndeshjen e radhës Dardanet e zhvillojnë më 21 shtator në “Fadil Vokrri” kundër Norvegjisë.