Kosova barazon sërish në miqësore me Shqipërinë
Edhe përballja e dytë miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është mbyllur në barazim. Por, për dallim nga ndeshja e tri ditëve më parë që nuk prodhoi gola, kësaj radhe të dyja ekipet kanë shënuar nga dy gola në ballafaqimin e zhvilluar në “Kukës Arena” (2-2).
Ndeshja nisi më mirë për kombëtaren e Shqipërisë, e cila shënoi dy gola brenda dy minutave. Rezultatin e zhbllokoi Mattia Xhemaili, në minutën e 23-të, kurse epërsinë në 2-0 e shtoi Haxhi Rrena, në minutën e 25-të.
Megjithatë, djelmoshat e Ilir Nallbanit shumë shpejt u këndellën me dy golat e Enes Pllanës. Fillimisht ai shënoi në minutën e 35-të, derisa në pjesën e dytë barazoi shifrat në minutën e 63-të (2:2), që në fund doli të jetë rezultati përfundimtar.
“Sot ishte një ndeshje shumë e mirë nga Kombëtarja jonë sepse futbollistët tanë ishin në nivelin e duhur dhe angazhimin e kanë pasur maksimal. Lojtarët i kanë zbatuar në përpikëri detyrat e dhëna nga stafi, ashtu siç kemi kërkuar gjatë gjithë ndeshjes. Sikur të ishim pak më të kujdesshëm para portës do të mund edhe ta fitonim ndeshjen”, ka thënë Nallbani.