Kosova bëhet me kryefilozof
Ridvan Emini është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Filozofëve të Kosovës, ndërsa Taulant Gashi nënkryetar. Emini e Gashi janë zgjedhur për të qeverisur me këtë shoqatë në një mandat tre vjeçar
Shoqata e Filozofëve të Kosovës në mbledhjen e saj konstituive të kryesisë së re ka votuar kryetarin dhe nënkryetarin e ShFK-së.
Me 8 vota pro nga 9 anëtarë sa ishin të pranishëm në mbledhje, Ridvan Emini u zgjodh kryetar i ri i ShFK. Me votë unanime, Taulant Gashi është zgjedhur nënkryetar i ri i ShFK.
“Na lejoni që t’iu njoftojmë se ShFK ka mbajtur mbledhjen konstituive të kryesisë së re. Në mbledhje ishin të pranishëm nëntë nga trembëdhjetë anëtarët/et e zgjedhur të ShFK-së. Në këtë mbledhje sipas rendit të ditës janë propozuar dhe votuar kryetari dhe nënkryetari i ShFK-së. I propozuar për pozitën e kryetarit të ShFK-së ishte Ridvan Emini, ndërsa për pozitën e nënkryetarit të ShFK-së, Taulant Gashi”, thuhet në njoftimin e ShFK-së.
Kryetari i ri i ShFK, Ridvan Emini ka bërë të ditur se do të njoftojë kryesinë brenda javës për sekretarin/en që do të emërohet për këtë mandat.
Ditë më parë pas një procesi zgjedhor të anëtarësisë janë zgjedhur anëtarët e ri të kryesisë së ShFK-së.
Kujtojmë se Emini është ndër themeluesit e ShFK-së. Ai ka qenë nënkryetar i saj për dy mandate dhe së fundmi anëtarë i kryesisë.
Shoqata e Filozofëve të Kosovës ishte themeluar më 2014 dhe pas dy vitesh aktivitet ishte anëtarësuar në Federatën Botërore të Filozofisë(FISP).