Kosova bën përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit
Organizata ndërkombëtare “Transparency International” publikoi të mërkurën “Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit” për vitin 2017, i cili tregon prani të madhe të kësaj dukurie në më shumë se dy të tretat e vendeve, ku janë bërë matjet.
“Transparency International” ka thënë se vendet me mbrojtjen më të vogël për shtypin dhe organizatat joqeveritare, kanë prirje të kenë normat më të këqija të korrupsionit.
“Derisa frenimi i valës së korrupsionit kërkon kohë, në gjashtë vjetët e fundit shumë vende kanë bërë pak ose aspak përparim”, vlerësoi kjo organizatë.
Indeksi, i cili radhit 180 vende dhe territore në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik, përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër.
Në këtë indeks, Kosova sivjet radhitet e 85-ta, me 39 pikë, që do të thotë se ka bërë përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak kur ka qenë në vendin e 95-të me 36 pikë.
Drejtori i Agjencisë kosovare Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka hedhur topin tek institucionet e zbatimit të ligjit, në veçanti prokuroria, gjykatat dhe policia, duke thënë se ato duhet të jenë më aktive në këtë luftë.
“Agjencia Kundër Korrupsionit, gjatë gjithë vitit 2017, konform mandatit të saj, ka ndërmarrë veprime konkrete sa i përket luftimit dhe parandalimit të korrupsionit. Shumë raste i ka dërguar në prokuroritë përkatëse, me kallëzime penale. Po ashtu në fushën e konfliktit të interesit ka bërë shumë vendime, në çështjet e prokurimit, në çështjet e deklarimit të pasurisë”, deklaroi Havolli, duke shtuar se asnjë aktakuzë e ngritur nga prokuroria, nuk ka përfunduar me aktgjykim të prerë.
Lufta kundër korrupsionit dhe rezultatet konkrete në këtë drejtim janë pjesë e kushteve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në raportin për Kosovën për vitin 2016, BE-ja ka thënë se “korrupsioni mbetet mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të jetë problem shumë serioz”.
Berat Thaçi, analist i politikave në Institutin për Studime të Avancuara GAP, ka thënë se arsyeja për perceptimin e lartë të korrupsionit në Kosovë është se disa institucione, përfshirë Këshillin Gjyqësor dhe agjencitë e detyruara për mbrojtjen e konkurrencës dhe ligjshmërinë e kontratave publike, në shumë raste kanë dështuar.
“Gjatë punës sonë në Institutin GAP kemi pasur rastin të analizojmë kontrata shumë të dyshimta dhe këtu ka pasur një dështim të një vargu institucionesh, jo vetëm të gjyqësorit, por edhe të agjencive të pavarura, që duhet të marrin një qëndrim lidhur me kontratat që i nënshkruan qeveria”, ka deklaruar Thaçi për “Radion Evropa e Lirë”.
Sa i përket vendeve të rajonit në bazë të këtij raporti, Shqipëria ka shënuar përkeqësim, duke zbritur në pozitën numër 91, nga 83 sa ka qenë vitin paraprak.
Në të njëjtën pozitë radhitet edhe Bosnje e Hercegovina, e cila vitin e kaluar ka qenë e 83-ta.
Rënien më të madhe nga vendet e rajonit e ka pësuar Maqedonia – nga pozita 90 në pozitën 107, ndërsa Serbia ka rënë nga pozita 72 në pozitën 77.
Mali i Zi, ndërkaq, ka mbetur në vendin e 64-të, njësoj si edhe një vit më parë.
Në aspektin global, Zelanda e Re, Danimarka dhe Finlanda janë vendet më të pastra sa i përket korrupsionit, ndërsa në fund të listës radhiten Somalia, Sudani Jugor dhe Siria./REL