Kosova blen më së shumti mallra kineze
Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se deficiti tregtar është thelluar vitin e kaluar.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për (8.5%) në muajin dhjetor 2017, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Në dhjetori e vitit 2017 deficiti ishte në vlerë prej 267,8 milionë euro krahasuar me deficitin 246,9 milionë euro në vitin 2016.
Kosova e bën importin më të madh nga Kina.
“Eksporti mbulon importin (9.9%)”, thuhet në publikim
Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2017 kishte vlerën 29,4 milionë euro, ndërsa importi 297,3 milionë euro. Pra është një rritje prej (20.2%) për eksport si dhe (9.5%) për import duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: (42.8%) të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (12.3%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (9.4%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (9.0%) produktet minerale, (5.9%) produktet bimore, (4.7%) tekstil dhe artikuj tekstili etj. “
Kosova më së shumti ka importuar produkte minerale.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesor për import: (15.3%) të importit e përbëjnë produktet minerale, (14.2%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (13.3%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (13.0%) mjetet e transportit, (8.7%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (6.4%) produkte të industrisë kimike, (4.8%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (4.7%) produkte bimore, (4.0%) tekstil dhe artikuj prej tekstili etj”, thotë publikimi.
Tregtia e jashtme e Kosovës me 28 vendet e BE-së
Eksportet drejtë 28 vendeve të BE-së shënuan rritje, por me rritje ishte edhe importet prej tyre.
“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së-28 arritën në 6,8 milion euro, ose rreth (23.3%) e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej (35.3%). Partneret kryesor për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.2%), Holanda (3.9%), Britania e Madhe (3.6), Bullgaria (2.7%) etj“, tregon publikimi.
Për 13 për qind u rriten importet.
“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së-28 ishin rreth 137,6 milionë euro, ose (46.3%) e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (13.1%). Importet me pjesëmarrje me te larte ishin nga: Gjermania (14.6%), Italia (5.7%), Rumania (3.0%),Greqia (2.8%) etj”, vijon më tej statistika e ASK-së.
Kosova me vendet e CEFTA-s
Në muajin e kaluar, eksporti i Kosovës drejt vendeve të CEFTA-s shënoi rënie, por importi u rrit.
“Në muajin dhjetor 2017, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 11,9 milionë euro, ose (40.5%) të eksporteve të përgjithshme, është një rënie prej (-0.5%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.7%), Maqedonia (9.6%), Serbia (5.5%), Mali i Zi (5.5%). “ tregohet në publikim
Importet u rritën në 13.2 për qind, duke importuar më së shumti nga Serbia
“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin Dhjetor 2017, arritën në 79,6 milion euro, ose (26.8%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (13.2%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.7%), Maqedonia (4.2%), Shqipëria (3.7%) dhe B&H (2.7%).” Njfoton publikimi
Tregtia me vendet e tjera të botës
Me vendet tjera të botës, eksportet e Kosovës arritën në 10,6 milionë euro, ose 36.2 për qind me partnerë të rëndësishëm India 24.4 për qind dhe Zvicra 5.2 për qind. Ndërsa importet e Kosovës me vendet tjera, sipas ASK-së, arritën në 79,9 milionë euro, ose 26.9 për qind.
Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina 9.6 për qind dhe Turqia 8.5 për qind./Kallxo.com