Kosova brenda një muaji importoi 500 milionë, eksportoi vetëm 73 milionë euro

25 korrik 2024 | 16:31

Deficiti tregtar i Kosovës tregon një dominim të dukshëm të importeve.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një rritje të deficitit tregtar prej 6,7% në muajin qershor 2024, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2023. Konkretisht, deficiti arriti në 425,4 milionë euro krahasuar me 398,0 milionë euro në vitin 2023.

“Eksporti i mallrave në muajin qershor 2024 kishte vlerën 73,4 milionë euro, ndërsa importi 498,7 milionë euro, që është një rritje prej 7,0% për eksport, si dhe një rritje prej 6,7% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023”, thuhet në raportin e publikuar.

Kosova, si çdo herë edhe gjatë muajit qershor, blerjen më të madhe të mallrave e ka bërë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si vende të CEFTA-s.

“Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 64,6 milion Euro, ose 13,0% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-10,8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,4%), Maqedonia e Veriut (4,6%), Serbia (1,7%)”.

Kurse, nga shtetet e BE-së, nga të cilat ka blerë më shumë mallra Kosova janë Gjermania, Italia dhe Greqia.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 228,5 milion Euro, ose 45,8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14,5%. Importet me pjesëmarrje m[ të lartë ishin nga: Gjermania (13,5%), Italia (5,8%), Greqia (5,0%)”.

Ajo që bie në sy është se shtetasit e Kosovës vazhdojnë të ushqehen më së shumti me produkte të importuara. Po ashtu, edhe pijet dhe duhani po vazhdojnë të importohen shumë.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13,3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 12,1% e përbëjnë produktet minerale; 11,3% e përbëjnë mjetet e transportit; 9,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; etj.”.

Ndërkaq, sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 27,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13,3% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9,9% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 5,7% e përbëjnë produktet minerale; etj.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 25,0 milionë euro, ose rreth 34,0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 9,0%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11,0%), Italia (4,5%), Holanda (3,6%), etj”.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 32,8 milionë euro.

“Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 32,8 milionë Euro, ose 44,8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 17.6%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (17,6%), Maqedonia e Veriut (14,6%), Serbia (5,5%), Mali i Zi (5,2%)”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për…