Kosova dhe Austria nënshkruajnë deklaratë bashkëpunimi në fushën e sundimit të ligjit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me homologen e saj nga Republika Federale e Austrisë, Alma Zadiq, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët të bashkëpunimit në mes të dy shteteve Kosovë-Austri.
Pas nënshkrimit të kësaj deklarate, dy ministret Haxhiu dhe Zadiq kanë mbajtur konferencë për medie ku kanë folur për bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve në fushën e sundimit të ligjit.
Ministrja Haxhiu në fjalën e saj ka thënë se çdo ditë e më shumë, Republika e Kosovës po vazhdon të ndërtojë marrëdhënie të mira bilaterale me vende të tjera, të cilat vazhdojnë ta ndihmojë shtet-ndërtimin e vendit tonë, por edhe forcimin e subjektivitetit juridik ndërkombëtar.
Haxhiu ka thënë se deklarata e përbashkët lidhur me fuqizimin e sundimit të ligjit, por edhe procesi i fillimit të negocimit të marrëveshjes për bashkëpunim gjyqësor në çështjet penale, përveç se thellojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve Kosovë-Austri, gjithashtu kontribuojnë edhe në fuqizimin e sundimit të ligjit.
Ministrja Haxhiu ka treguar se për gjatë tre viteve qeverisje, janë shënuar 29 akte/marrëveshje ndërkombëtare si dhe nisma për marrëveshje të nënshkruara dhe miratuara, mbi 16 701 kërkesa dhe përgjigje në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, 144 persona të ekstraduar në periudhën mars 2021 – mars 2024, por gjithashtu 21 persona të transferuar për periudhën e njëjtë.
Në fund, ministrja Haxhiu ka falënderuar Republikën Federale të Austrisë për ndihmë në çlirim dhe shtet ndërtim të Republikës së Kosovës dhe për vullnetin e treguar për fuqizim të sundimit të ligjit.
Ndërsa ministrja e Drejtësisë nga Republika Federale e Austrisë, Alma Zadiq, ka thënë se vendi i saj i njeh përpjekjet dhe arritjet e Kosovës për sundimin e ligjit dhe se mbeten mbështetësit afatgjatë në fushën e sundimit të ligjit.
Ajo ka thënë se Republika Federale e Austrisë do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në procesin e mëtutjeshëm integrues në Bashkimi Evropian