‘Kosova dhe Bosnja të mos jenë në vagonin e fundit të trenit për në BE’

01 qershor 2022 | 11:31

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina nuk duhet të jenë në “vagonin e fundit në trenin për në Bashkimin Evropian (BE)”.

Këtë deklaratë Plenkoviq e ka bërë gjatë një panel të mbajtur në kuadër të Kongresit të Partive Popullore Evropiane (EPP) në Roterdam, shkruan agjencia kroate e lajmeve, “Hina”.

Aty është diskutuar edhe për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në BE. Me këtë rast, Plenkoviqi ka shprehur mbështetjen e shtetit të tij për zgjerimin.

Plenkoviqi ka thënë se EPP-ja duhet të punojë për t’i trajtuar çështjet “themelore” që Bosnja duhet t’i adresojë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, si miratimi i një “ligji të drejtë zgjedhor” për t’i bërë të tre popujt përbërës të ndihen “mirë dhe rehat” në një shtet.

“Ne duhet të vazhdojmë të insistojmë në këto çështje sepse është thelbësore”, ka thënë Plenkoviqi, duke iu referuar kërkesës për ndryshimin e Ligjit zgjedhor.

Duke folur për luftën në Ukrainë, Plenkoviqi ka theksuar se Perëndimi i ka ofruar asaj “ndihmë të jashtëzakonshme”. Ai ka përmendur edhe luftën e Kroacisë me Serbinë në vitet e ’90-ta.

“E them këtë si dikush nga një vend që ishte gjithashtu viktimë e agresionit. Në vitet e ’90-ta, jo vetëm që nuk pamë një mobilizim të tillë të bashkësisë ndërkombëtare, por duhej të mbroheshim nën embargon e OKB-së për importin e armëve”, ka thënë kryeministri kroat.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka përkujtuar gazetarin Bardh…