Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arrijnë marrëveshje bashkëpunimi
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot takimin bilateral në Abu Dhabi me ministrin e Shtetit për Çështje Financiare, Obaid bin Humaid Al Tayer, me ç’rast ka nënshkruar edhe një marrëveshje të bashkëpunimit ndërmjet ministrive të financave të dy vendeve.
Gjatë takimit ministri Hamza ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe për ndihmën e dhënë popullit të Kosovës, që nga paslufta e deri më sot.
Me këtë rast u diskutua lidhur me mundësitë e investimit që ofron Kosova.
Ministri Hamza e ka njoftuar ministrin Al Tayer për potencialin që ka Kosova si dhe ambientin ligjor shumë të favorshëm për investime.
Ndërkaq ministri Al Tayer ka përgëzuar ministrin Hamza për punën e bërë që dëshmon se Kosova ka stabilitet makro-fiskal, borxh të ulët shtetëror, mbajtjen e një sistemi tatimor të ulët, që sipas tij të gjitha këto e bëjnë Kosovën një shtet të favorshëm për investime.
Po ashtu delegacioni u njoftua për mundësitë e përfitimit nga projektet e ndryshme.
Të dy ministrat u dakorduan për thellim të bashkëpunimit dhe shprehën gatishmërinë për organizim të vizitave të përbashkëta ekonomike.
/Epoka e re/