Kosova dhe Franca pajtohen për thellimin e bashkëpunimin në fushën e sigurisë
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, sot ka takuar ministrin e shtetit, Laurent Nunez në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Francës, me të cilin ka diskutuar për të arriturat dhe reformat e ndërmarra në fushën e sundimit të ligjit me theks në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, migrimit ilegal, si dhe sfidave tjera të përbashkëta në fushën e sigurisë në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.
Me këtë rast Hoxha ka shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit bilateral me Francën në fushën e sigurisë.
“Kosova është vendi i vetëm në Evropë me kufizim për lëvizjen e lirë, kjo nuk është në pajtim me vlerat e BE-së. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë bashkëpunim të plotë për çfarëdo shqetësimi rreth liberalizimit të vizave. Marrëdhëniet tona të shkëlqyera do të vazhdojnë të jenë të tilla me Francën, partner të rëndësishëm strategjik për të avancuar paqen, sigurinë, dhe vlerat evropiane, në veçanti lirinë, demokracinë, të drejtat e njeriut, rendin dhe ligjin”, ka theksuar Hoxha, duke shtuar se në fokus të këtij bashkëpunimi janë fusha e sigurisë, e në veçanti lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe migrimi ilegal.
Ministrja ka thënë se është e kuptueshme situata brenda BE-së në prag të zgjedhjeve të PE-së, mirëpo ka thënë se presin që pas këtyre zgjedhjeve të lëvizet përpara me çështjen e liberalizimit të vizave.
Ministri Laurent Nunez, ka shprehur gatishmërinë e Francës për vazhdimin e përkrahjes për Kosovën në proceset integruese, duke u pajtuar për të hyrë në marrëveshje bilaterale në fusha të interesit të përbashkët.
Ministri francez i është përgjigjur pozitivisht ftesës së ministres Hoxha për ta vizituar Kosovën së shpejti.
/Epoka e re/