Kosova dhe Gjermania nënshkruajnë marrëveshjen, zotohen 90 milionë për punësim, energji dhe integrim
Kosova dhe Gjermania kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë 90 milionë euro.
Më këtë marrëveshje synohet mbështetje për dy vjet, ku 20 milionë janë në formë të granteve.
“Kjo marrëveshje e re shënon rritje të theksuar të vlerës së mbështetjes krahasuar me atë paraprake për periudhën 2022/2023, që ishte në vlerë prej 37 milionë euro, duke dëshmuar kësisoj thellimin e bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve”.
“Këto mjete do të destinohen për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ndër të tjera fokusohen në investime në sektorin e energjisë, përkatësisht procesit të dekarbonizimit, garantim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrim të trajnimeve dhe punësimit si dhe mbështetje të komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit”, ka njoftuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë gjermane duke përmendur disa projekte të rëndësishme që janë zbatuar në kuadër të këtij bashkëpunimi, siç është projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore dhe rehabilitimin e ujërave të zeza në Prishtinë, menaxhimit të mbeturinave në të gjithë Kosovën si dhe themelimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, në anën tjetër ka përmendur bashkëpunimin gjermano-kosovar, duke thënë se si rrjedhojë ka kontribuar në standard më të mirë të jetesës për të gjithë qytetarët, duke promovuar rritjen ekonomike dhe punësimin e rregullt.
Sipas ambasadorit Rohde, projektet e radhës të cilat do të zbatohen përmes fondeve të zotuara sot, do të përforcojnë pavarësinë ekonomike të grave dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik të gjelbër dhe inovativ të Kosovës.