Kosova dhe Greqia synojnë ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme bilaterale
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadoren Chryssoula Aliferi, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë e rajon, si dhe për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mundësitë e rritjes së tyre në kapacitete të plota.
Gjatë këtij takimi është konfirmuar angazhimi dhe mbështetja e dy vendeve për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme bilaterale në aspektin politik dhe ekonomik.
Ministri Pacolli ka thënë se Greqia është partner i rëndësishëm i Kosovës si dhe fqinj rajonal i saj.
“Vlerësojmë mbështetjen që Greqia ka dhënë dhe po jep në ndërtimin e perspektives euroatlantike të Kosovës”, ka theksuar Pacolli, duke rikonfirmuar se dy vendet trajtojnë reciprokisht relacionet me respekt dhe përkushtim të madh.
Në këtë takim është diskutuar edhe për projektet e reja bilaterale ndërmjet dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e mirë të marrëdhënieve në mes dy shteteve, duke shprehur përkushtimin reciprok për intensifikimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.
/Epoka e re/