Kosova dhe Iowa avancojnë bashkëpunimin në fushën ekonomike
Nën organizimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, delegacioni nga shteti amerikan i Iowas, i përbërë nga ligjvënës, përfaqësues të institucioneve publike e private, e të institucioneve edukative ka vizituar disa kompani kosovare për t’u njohur me punën që ato bëjnë si dhe me produktet që prodhojnë, ndërsa një pritje për nder të tyre u organizua në fabrikën e produkteve plastike “Kivo” në Kaçanik.
Ligjvënësi nga shteti i Iowas, Zach Nunn, që ishte i shoqëruar nga zyrtari për marrëdhënie ndërkombëtare i shoqatës së bizneseve Greater Des Moines Partnership që përfaqëson mbi 8,000 biznese nga shteti i Iowas, dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane takuan zëvendësministrin e Financave të Kosovës, Fatmir Gashi.
Gjatë takimit zëvendësministri Gashi, por edhe këshilltarët Lulzim Rafuna e Behxhet Haliti sqaruan përfitimet për bizneset nga reforma e fundit fiskale që ka zbatuar Kosova, por edhe për mundësitë të investimit në Kosovë.
Ligjvënësi Nunn u interesua lidhur me infrastrukturën e mundshme në të cilën investitorët e interesuar amerikan do të mund të vendoseshin.
Anëtarë të delegacionit amerikan u takuan edhe me ish-presidenten e vendit Atifete Jahjaga, ku e falënderuan atë për rolin e saj në avancimin e raporteve ndërmjet shteteve simotra të Iowas dhe Kosovës.
Ata u informuan në detaje që presidentja Jahjaga po bënë me Fondacionin e saj të themeluar së fundmi.
Delegacioni i Iowas ka vizituar edhe Parkun e Biznesit në Drenas ku u takuan me kryeshefin e Agjencisë për Investime dhe Mbështetje të Ndërmarrjeve në Kosovë, Besian Mustafa.
Institucionet edukative nga Iowa janë takuar edhe me përfaqësues të kolegjeve private në Kosovë, qendrat e edukimit profesional, si dhe Shoqatën e Hoteleve, Restoranteve dhe Kafiterive, për të diskutuar për nevojën e prezantimit të programeve të trajnimit profesional në sektorin e gastronomisë.
Delegacioni ka vizituar edhe komunën e Shtërpcës ku është njoftuar me potencialet që ofron qendra rekrative-turistike e Brezovicës, si dhe mundësitë për investime në të.
Kosova dhe Iowa kanë nënshkruar marrëveshje të partneritetit të shteteve simotra në vitin 2013, ndërsa përveç bashkëpunimit ushtarak, marrëveshja promovon shtrirjen e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera, si ekonomi, edukim dhe sport.