Kosova dhe Iowa nënshkruajnë marrëveshje për rritje të bashkëpunimit

26 qershor 2023 | 12:10

Guvernatorja e shtetit të Ajoas, Kim Reynolds, ka thënë të hënën se shteti që drejton ajo është i hapur për të zgjeruar bashkëpunimin me Kosovën në fushën e sigurisë, edukimit dhe atë komerciale.

Guvernatorja amerikane i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë, bashkë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pas nënshkrimit të marrëveshjes për vazhdim të bashkëpunimit mes vendeve simotra.

Dy vendet kanë nënshkruar marrëveshje binjakëzimi më 2013.

Osmani ka thënë se marrëveshja e re dëshmon përkushtimin për të hapur kapituj të rinj në raportet dypalëshe në “fusha të ndryshme të interesit të ndërsjellë, përfshirë arsimin, kulturën, turizmin, bujqësinë, tregtinë, dhe fushën e energjisë”.

“Marrëveshja do të ofrojë instrumente për koordinim të shtuar në mes të dy vendeve tona edhe në fushën e mbrojtjes, një bashkëpunim esencial mes Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës së Iowas”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës do të kenë përfitime të drejtpërdrejta nga marrëveshja.

Osmani ka folur edhe për situatën aktuale në Kosovë, dhe ka thënë se autoritetet janë të përkushtuara që t’i tejkalojnë të gjitha sfidat në fushën e sigurisë.

“Kosova, si gjithnjë, është plotësisht e përkushtuar për paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend dhe rajon, në koordinim të plotë me aleatët tanë”, ka thënë Osmani

Në maj të vitit 2021, trupat e FSK-së, së bashku me anëtarët e Gardës Kombëtare të Iowas, e kanë nisur një mision të përbashkët në Kuvajt.

Ky ka qenë misioni i parë i FSK-së, jashtë vendit.

Dy vendet kanë bashkëpunuar në të kaluarën edhe në fushën e biznesit dhe shkëmbimeve në fushën e arsimit.

Ato e kanë aktiv edhe programin “Gratë në Energji”.

Më 2021, 26 persona nga Kosova i kanë përfunduar studimet dyvjeçare në fushat e lidhura me energjinë në Des Moines Area Community College.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Sllovenisë, Tanya…