Kosova dhe Iowa pritet të thellojnë bashkëpunimin edhe më tej në arsim, ekonomi dhe bujqësi
Me ftesë të guvernatores së Iowas, presidentja Osmani ka nisur vizitën zyrtare në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Presidentja Osmani dhe Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, u pritën me pritje ceremoniale nga guvernatorja e Iowas, Kim Reynolds dhe Zotëriu i Parë, Kevin Reynold.
Osmani e falënderoi guvernatoren për pritjen dhe për vizitën bërë Kosovës, në muajin qershor të këtij viti.
Gjatë takimit, presidentja Osmani theksoi se Kosova nuk ka aleate e mike më të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën sipas saj ndajnë vlerat e njëjta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit ndërkombëtarë.
Sipas presidentes Osmani, nënshkrimi kohë më parë i Programit të Partneritetit Shtetëror të Iowas, përbën një element thelbësor të marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara.
“Ky program luan një rol jetik në zhvillimin tonë të vazhdueshëm ushtarak dhe përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve, në përputhje me objektivat dhe aspiratat tona të sigurisë kombëtare për anëtarësim në NATO”, ka theksuar Osmani.
Më tej, presidentja Osmani shtroi nevojën e ndihmës substanciale ekonomike dhe programet e zhvillimit të iniciuara nga Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur rritjen dhe stabilitetin ekonomik të Kosovës.
Në takim me guvernatoren Reynolds u diskutua për shkëmbime të mëtejshme studentore, bursa dhe bashkëpunime akademike ndërmjet universiteteve të Kosovës dhe Iowas, duke përfshirë shkëmbimin në fakultete, projekteve të përbashkëta kërkimore dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në arsim.
U diskutua për mundësinë e shkëmbimit të njohurive, transferimin e teknologjisë bujqësore dhe bashkëpunimin në praktikat e qëndrueshme bujqësore, ku në kuadër të këtij bashkëpunimi do të përmirësohen edhe më tej lidhjet ekonomike me shtetin e Iowas.
Me qëllim që të përforcohet ky bashkëpunim, pjesë e delegacionit të presidentes është edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Presidentja Osmani ndër të tjera, e njoftoi guvernatoren lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, pas aktit të agresionit që Serbia kreu në Republikën e Kosovës më 24 shtator.
Sipas presidentes Osmani, Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatë, ndërkohë që autorët e sulmit terrorist dhe aktit të agresionit ndaj Republikës së Kosovës të kryer më 24 shtator duhet të vihen para përgjegjësisë.