Kosova dhe Izraeli koordinohen për bashkëpunim në shëndetësi

06 prill 2022 | 11:49

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është takuar sot me ambasadoren e parë të Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, me ç’rast temë diskutimi ishte bashkëpunimi mes dy vendeve në sektorin e shëndetësisë.

Ministri Latifi ka thënë se është i nderuar për vizitën e ambasadores, e para e këtij niveli në Kosovë, posaçërisht duke e pasur parasysh se Izraeli ka një sistem shëndetësor tejet të zhvilluar prej të cilit mund të mësohet shumë.

Me këtë rast, ministri Latifi ka përmendur shtatë shtyllat e programit të tij për transformimin e shëndetësisë së Kosovës, duke potencuar se shëndetësia është prioritet për Qeverinë e Kosovës.

Ai e vuri në pah edhe nevojën për krijimin e Qendrave të Ekselencës dhe në këtë pikë edhe Qendrën e Traumës e cila është shumë e domosdoshme për sistemin shëndetësor të Kosovës. Bashkëpunimi në këtë pikë, vlerësoi ai, është shumë i dobishëm pasi që Izraeli këtë Qendër e ka më të avancuarën në botë.

Në vazhdim, ministri Latifi dhe ambasadorja Ziv u pajtuan se një nga fushat e tjera potenciale të bashkëpunimit është edhe rreth digjitalizimit të sistemit shëndetësor kosovar.

Në këtë takim u bisedua edhe për mundësinë e trajnimit të stafit shëndetësor kosovar nga ekspertët shëndetësor të Izraelit, në ato profile ku mungon ekspertiza brenda sistemit tonë.

Ndërkaq, ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, ka theksuar se shteti i saj është i gatshëm për të bashkëpunuar dhe ndihmuar Kosovën në mënyra të ndryshme për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe avancimit të fushave specifike, dhe për këtë qëllim ajo ka njoftuar se tashmë ka filluar përgatitjet për organizimin e vizitës së ministrit Latifi në Izrael gjatë këtij viti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Armand Duka është i pranishëm në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së,…