Kosova dhe Katari thellojnë bashkëpunimin në fushën e emergjencave
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra së bashku me delegacionin me përfaqësues nga Ministria e Brendshme e shtetit të Katarit, i cili po qëndron në Kosovë kanë vizituar Agjencinë e Menaxhimin Emergjent dhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.
Në vizitën e realizuar në këtë agjenci, delegacioni nga shteti i Katarit është pritur në takim nga kryeshefi i kësaj agjencie, Fadil Kodra me bashkëpunëtorët e tij, që kanë prezantuar para të pranishmëve punën dhe aktivitetet e Agjencisë së Menaxhimin Emergjent.
Me këtë rast, përfaqësuesi i delegacionit, kolonel Ali Hassan Al-Kubaisi, drejtor i Departamentit të Krimeve Ekonomike dhe Elektronike, ka shprehur gatishmërinë e shtetit të Katarit për të ofruar ndihmë në pajisje dhe trajnime në avancimin e mëtejmë të AME-së.
Për të parë më afër ambientin dhe kushtet e punës, vizita e delegacionit nga Katari ka vazhduar tek Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë.
Më pas, Shkodra, së bashku me delegacionin mysafir kanë vizituar Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku janë takuar me drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë, Ismail Smakiqi.
Gjatë këtij takimi është biseduat rreth gjetjes së mënyrës së bashkëpunimit në fushën e ngritjes së kapaciteteve për institucionet ligjzbatuese në mes të AKSP-së dhe Akademisë së Sigurisë Publike të Katarit.
Delegacioni nga Katari ka shfaqur interesimin e tyre rreth procesit të rekrutimit të zyrtarëve të sigurisë publike në Kosovë si dhe rreth zhvillimit të trajnimeve në AKSP.
/Epoka e re/