Kosova dhe Kroacia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e turizmit
Në kuadër të Forumit Ekonomik Kosovë-Kroaci, është nënshkruar të enjten në Prishtinë marrëveshja e bashkëpunimit mes dy shteteve në fushën e turizmit.
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të shkëlqyera që ka me Republikën e Kroacisë, si mike dhe partnere strategjike e vendit tonë.
Ai ka vlerësuar lartë marrëdhëniet e mira me Kroacinë duke thënë se pos gjeografikisht lidhshmëria ekziston edhe politikisht e historikisht.
“Jemi dy vende të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën politikisht, historikisht por edhe gjeografikisht. Ka ardhur koha që t’i forcojmë edhe lidhje tona në ekonomi, pasi i shqyrtova lidhjet tona të shkëmbimeve tregtare ndihem i sigurt që jemi në rrugën e duhur për ta bërë këtë dhe ta kapim këtë mundësi që të kemi një lidhje të jashtëzakonshme në vitin 2023”, u shpreh Kurti.
Kurti ka theksuar se eksporti me Kroacinë është trefishuar ndërsa importi është dyfishuar. “Eksportet tona me Kroacinë janë trefishuar ndërsa importet nga Kroacia janë dyfishuar. Për momentin janë më shumë se 160 kompani kroate që po shërbejnë në Kosovë me rreth 650 punëtorë. Jam i sigurt që këto shifra veç sa do të rriten në vijim”, ka deklaruar ai.
Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka thënë se synojnë rritjen e shkëmbimeve tregtare me Kroacinë.
Hajdari ka thënë se themelet e bashkëpunimeve Kosovë-Kroaci janë të kahershme.
“Ky forum kontribuon në synimin tonë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe krijimin e raporteve biznes-biznes ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë pasi të dyja vendet kanë një potencial për më shumë shkëmbime tregtare dhe bashkëpunimit ekonomik”, ka deklaruar ministrja Hajdari.