Kosova dhe Kuvajti diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar të martën në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Tiranë, një takim me të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri, Khaled Al-Shami.
Ministrja Haradinaj-Stublla ka shprehur falënderimin e saj për pozicionin e palëkundur të Kuvajit ndaj sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës.
Ministrja Haradinaj-Stublla ka shprehur gatishmërinë e thellimit të bashkëpunimit, veçanërisht në fushën e sigurisë, ku pritjet janë të larta që avancimi i këtij bashkëpunimi me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të ndodhë shpejtë.
Ministrja Haradinaj-Stublla dhe Al-Shami kanë diskutuar gjithashtu për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, për marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Kuvajtit, si dhe shkëmbimin e ambasadave përkatëse në vendet respektive, në Prishtinë dhe Kuvajt City.
I ngarkuar me punë i Ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri, Khaled Al-Shami, nga ana e tij, vlerësoi raportet e mira të bashkëpunimit mes dy shteteve.
Ai gjithashtu ka shprehur nevojën e intensifikimit të angazhimit të përbashkët për finalizimin marrëveshjeve me interes të ndërsjellë.