Kosova dhe Luksemburgu nënshkruajnë marrëveshje në vlerë 35 milionë euro
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar sot dy marrëveshje me Luksemburgun që kapin vlerën e 35 milionë eurove.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi pas nënshkrimit të këtyre marrëveshje, ku përfshihet marrëveshja dypalëshe për Bashkëpunimin për Zhvillim dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Zbatimin e Marrëveshjes, tha se me këtë po thellohet bashkëpunimi Kosovë-Luksemburg.
“Me këtë marrëveshje po e vendosim kornizën e përbashkët sa i përket bashkëpunimit për zhvillim, edhe pse memorandumi përcakton fonde 2023-2025 dhe janë projekte që janë zgjedhur për intervenim në Kosovë dhe të financuara nga duka i Luksemburgut”, ka deklaruar Bislimi.
Ai shtoi se fushat e intervenimit që do të përkrahen nga Luksemburgu janë: arsimi, shëndetësia, rritja ekonomike e qëndrueshme, zhvillim i shoqërisë civile dhe fusha e inovacionit
Nënshkrimi i marrëveshjeve u bë nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, njëherit Ministër i Ekonomisë i Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Franz Fayot.