Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje në fushën e kontrollit të mallrave strategjike
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka bërë me dije se sot kanë nënshkruar marrëveshje në nivel sekretarësh me shtetin mik, Malin e Zi, në fushën e kontrollit të mallrave strategjike, me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit në fushën e kontrollit të tregtisë së armëve dhe pajisjeve ushtarake, armëve konvencionale, armëve të shkatërrimit në masë, si dhe eksportin e mallrave me përdorim të dyfishtë.
“Ky është edhe një hap në forcimin e marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, duke theksuar nevojën për të bërë përparime në shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencave në çështjet e transferimit ndërkombëtar të kontrollit të mallrave strategjike”, ka thënë ministri Shala pas takimit.
Ai ka theksuar se ky memorandum i shërben po ashtu Kosovës për rritjen e tregut dhe shkëmbimin e informacioneve, duke i përmbushur kriteret që dalin nga Bashkimi Evropian, që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë prin në këtë drejtim.
/Epoka e re/