Kosova dhe Malta nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës
Me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Maltës, është nënshkruar marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë dhe Ministrisë së Trashëgimisë Kombëtare, Arteve dhe Qeverisjes Lokale në Maltë.
MKRS-ja ka njoftuar se ky bashkëpunim synon partneritet në fushat e kulturës, trashëgimisë kulturore, muzikës e vallëzimit.
Në kulturë përmes zhvillimit dhe zbatimit të programeve të bashkëpunimit, shkëmbimeve kulturore dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve kulturore, organizatave dhe individëve në të dyja vendet.
Në muzikë e vallëzim, ndër të tjera përmes prezantimit të punës së kompozitorëve e muzikantëve, organizatave, institucioneve, orkestrave në të dyja shtetet dhe shkëmbimit të përvojave mes tyre.
Gjithashtu në fushën e trashëgimisë kulturore, ku parashihet shkëmbimi profesional i ekspertëve në menaxhimin e objekteve të trashëgimisë, ekspertëve përgjegjës për planet e menaxhimit, shkëmbim profesional në nivelin e politikave të ruajtjes për zonat e trashëgimisë kulturore me vëmendje të veçantë.
Marrëveshja është nënshkruar nga ambasadorja e Kosovës në Itali, Maltë dhe San Marino, Lendita Haxhitasim dhe sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Trashëgimisë Kombëtare, Arteve dhe Qeverisjes Lokale në Maltë, Kevin Mahoney.